Sali Berisha do të regjistrojë kandidatët e tij në zgjedhjet lokale të 14 Majit përmes koalicionit me Partinë e Lirisë së Ilir Metës.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Endrit Braimllari ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e koalicionit zgjedhor të përbërë nga Partia e Lirisë, Partia Demokratike e Shqipërisë, Partia Demokristiane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.
Sipas kërkesës zyrtare, koalicioni mban emrin: “Bashkë Fitojmë!” Ndërsa shkronjat nistore të koalicionit do të jenë BF.
Në kërkesën e depozituar është bashkangjitur dhe marrëveshja e partive, ku shkruhet:
Vendosëm: 1- Të formojmë një Koalicion opozitar dhe për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023.
Shkronjat nistore të Koalicionit do të jenë: “BF”. Drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga organet drejtuese të saj. Partia udhëheqëse e koalicionit, sipas parashikimeve të nenit 65 e vijues të Kodit Zgjedhor është Partia e Lirisë.
Të autorizojmë z. Endrit Braimllari që:
- Të paraqesë kërkesë për regjistrimin e Koalicionit, së bashku me këtë marrëveshje, pranë KQZ-së.
- Të përfaqësojë Koalicionin gjatë procedurës së shortit, në KQZ, për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit.
- Të caktojë vëzhguesit e Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin.
- Të përfaqësojë Koalicionin dhe/ ose të autorizojë përfaqësues të tjerë, për t’a përfaqësuar atë pranë KQZ, Kolegjit Zgjedhor ose instancave të tjera administrative dhe gjyqësore ku do të konsiderohet e nevojshme. Ai ka të drejtë të nënshkruajë për sa më sipër.
Termat konkrete të bashkëpunimit brenda koalicionit do të përcaktohen nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe të partive politike në përbërje të tij.
Në listat shumëemërore për këshilltarë të Koalicionit zgjedhor do të përfshihen, për ędo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e re, bazuar në marrëveshjet midis palëve. Kandidatët në listat shumëemërore të Koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të Koalicionit, duke shmangur trajtimin e tyre sipas përkatësive partiake.
Kjo marrëveshje hyn në fuqi menjëherë ditën e nënshkrimit të saj.
Shkresa mban firmën e Ilir Metës, Sali Berishës, Nard Ndokës dhe Vangjel Dules.