Leonardo Da Vinci është padyshim një nga mburrjet më të mëdha të Rilindjes italiane. Artisti dhe shpikësi i njohur, autor i pikturës më të njohur dhe enigmatike në botë, La Gioconda, ose Mona Lisa siç njihet ndryshe, ka një histori që ka inspiruar qindra libra dhe filma.
Një nga misteret e tij të fundit ishte paradoksalisht origjina e tij. Të gjithë e dinë se ai ka lindur në Vinci, një qendër aspak e rëndësishme në Toskanë.
Ndërkohë që për babanë e tij Piero da Vinci, një noter fiorentin, dihet pothuajse gjithçka, për të ëmën deri më tani kishte vetëm disa hipoteza.
Ajo është identifikuar fillimisht si Caterina di Meo Lippi, një vajzë 16-vjeçare me origjinë modeste, por emri Caterina, që në atë kohë përdorej për të identifikuar skllavet, e ka vënë në dyshim këtë qasje.
Por Carlo Vecce, një profesor italian, filolog dhe historian i Rilindjes në Universitetin Oriental të Napolit, ka gjetur në Arkivat e Firences një dokument origjinal të kohës, me firmë të Piero da Vinci, ku lirohet nga skllavëria ajo që cilësohet si “Caterina, vajza e Jakobit, skllave me origjinë çerkeze”.
Çerkezët janë një popullsi autoktone e Kaukazit, që për shkak të ngjarjeve historike është spostuar në pjesën më të madhe në Turqi dhe Rusi, dhe në Lindjen e Mesme, madje një komunitet rreth 1200 ka banuar në Kosovë pas vitit 1858, ndërkohë që sot janë vetëm disa dhjetëra.
Por sipas profesorit, origjina e saj nuk ishte modeste, madje ishte e bija e një princi çerkez e cila ra në robëri ende adoleshente, me shumë mundësi pas një sulmi tartar, duke filluar një kalvar që e çonte fillimisht në Kostandinopojë dhe më pas u shit në Venecia, dhe së fundi në Firence, në një familje të pasur.
Pikërisht aty 26-vjeçari Piero takoi Caterinën moshatare, duke filluar një marrëdhënie të fshehtë për shkak të diferencave të statusit, nga e cila lindi në 15 prill të vitit 1452 djali i tyre, gjeniali Leonardo.
Pak muaj më vonë, në nëntor, Piero do t’i blinte lirinë mamasë së djalit të tij nga familja Redditi, duke i dhënë Caterinës lirinë dhe dinjitetin e merituar.