Aktualitet Polici i RENEA-s dyshohet se ka lidhje me grupin e Ervis Martinaj

Polici i RENEA-s dyshohet se ka lidhje me grupin e Ervis Martinaj

Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i efektivit të RENEA-s, Altin Morina. Dy orë para së të arrestohej ai ishte në Elbasan dhe dyshohet se ka dorëzuar shuma parash tek persona të skeduar.

Mesditën e të martës, ai u arrestua në Tiranë në zonën e Kodrës së Diellit. Pak minuta para se të prangosej është vëzhguar nga forcat operacionale dhe ndodhej në mjet me një zyrtar të lartë të një agjencie ligjzbatuese, identiteti i të cilit nuk bëhet publik nga hetuesit. Nuk dihet arsyeja pse efektivi nuk është ndaluar në momentin që ishte me të.

Morina ka deklaruar në polici se nuk ka kryer asgjë të jashtëligjshme dhe se nuk është pjesë e ndonjë grupi kriminal.

“Paratë janë të ligjshme dhe vijnë nga një biznes. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia tek një mik. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal”, ka thënë Morina.

Efektivi Morina dyshohet si i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan.

Morina dyshohet se ka lidhje dhe me Kreshnik Halilajn që u arrestua më herët për arsenal armësh dhe droge. Në këtë rast, efektivi dyshohet se ka fshehur prova duke thënë se kokaina e gjetur në shtëpinë e Halilajt nuk ishte kokainë, por miell buke.

Ndër të tjera, ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e Ervis Martinaj.

Gjatë ditëve të fundit, ai është konstatuar në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.