Studiuesit amerikanë thonë se mund të kenë zbuluar pse disa njerëz kanë dhimbje koke pas vetëm një gote të vogël verë të kuqe, edhe pse nuk marrin të njëjtin efekt nga lloje të tjera alkooli.
Ekipi i Universitetit të Kalifornisë thotë se kjo është për shkak të një përbërësi në rrushin e kuq që mund të ndërhyjë në mënyrën se si trupi metabolizon alkoolin.
Komponimi është një antioksidant ose flavanol i quajtur kuercetin.
Rrushi i kuq prodhon më shumë kuercetinë kur është i ekspozuar ndaj diellit dhe kjo tregon se verërat e kuqe më të shtrenjta janë më të predispozuara për të shkaktuar dhimbje koke, sipas ekspertit Andrew Waterhouse.
“Variantet e lira të rrushit rriten në hardhi me tenda shumë të mëdha dhe me shumë gjethe, kështu që ato nuk marrin aq shumë diell,” tha ai. “Ndërsa rrushi i cilësisë së lartë është nga kulturat më të vogla me më pak gjethe dhe merr më shumë diell”.
Megjithatë, të tjerët janë skeptikë.
Profesor Roger Corder, një ekspert në terapinë eksperimentale, në Universitetin Queen Mary të Londrës, thotë se provat tregojnë se verërat më të lira janë më të këqija për dhimbjen e kokës.
Fajtori i mundshëm
Janë paraqitur disa teori për të shpjeguar dhimbjet e kokës nga vera e kuqe, të cilat mund të fillojnë brenda 30 minutave pas pirjes së sasive të vogla.
Disa kanë sugjeruar se shkaku mund të jenë sulfitet, konservues për të zgjatur afatin e ruajtjes dhe për të mbajtur verën të freskët.
Megjithatë, në përgjithësi, përmbajtja e sulfitit është më e lartë në verërat e bardha të ëmbla sesa të kuqe.
Dhe ndërsa disa njerëz mund të jenë alergjikë ndaj sulfiteve dhe duhet t’i shmangin ato, ka pak prova që janë “fajtorë” për dhimbjet e kokës.
Një tjetër fajtor i mundshëm është histamina, një përbërës më i zakonshëm në verën e kuqe sesa në verën e bardhë.
Histamina mund të zgjerojë enët e gjakut në trup, gjë që mund të shkaktojë dhimbje koke. Por përsëri, prova absolute mungon.
Ndërkohë, ekspertët e dinë se më shumë se një në tre persona me origjinë nga Azia Lindore janë intolerantë ndaj çdo lloj alkooli birrës, verës dhe pijeve alkoolike dhe përjetojnë skuqje të fytyrës, dhimbje koke dhe të përziera kur pinë.
Kjo është për shkak të një gjeni që ndikon në mënyrën se si funksionon një enzimë metabolizuese e alkoolit e quajtur ALDH2 ose aldehiddehidrogjenaza.
Alkooli shpërbëhet në trup në dy hapa: ai shndërrohet në një përbërës toksik të quajtur acetaldehid, të cilin ALDH2 më pas e shndërron në acetat të padëmshëm, kryesisht uthull.
Nëse kjo nuk mund të ndodhë, acetaldehidi i dëmshëm grumbullohet, duke shkaktuar simptomat.
Dhe studiuesit thonë se një rrugë e ngjashme është e përfshirë në dhimbjen e kokës nga vera e kuqe.
Ata treguan në laborator se kuercetina mund të bllokojë indirekt veprimin e ALDH2, nëpërmjet një prej metabolitëve të saj.
Kuercetina bëhet problematike vetëm kur përzihet me alkool, sipas studiuesve, të cilët kanë publikuar gjetjet në revistën Scientific Reports.
Kuercetina gjendet gjithashtu në shumë fruta dhe perime të tjera, madje jepet edhe si një shtesë shëndetësore për shkak të vetive të saj të dobishme anti-inflamatore, dhe nuk duket se shkakton dhimbje koke më vete.
Studiuesit ende duhet të provojnë teorinë e tyre te njerëzit dhe thonë se një eksperiment i thjeshtë mund të jetë që t’u jepet vullnetarëve të prirur ndaj dhimbjeve të kokës nga vera e kuqe një suplement kuercetin së bashku me një pije standarde si vodka.
Bashkautori Morris Levin, ekspert në neurologji thotë se “më në fund jemi në rrugën e duhur drejt shpjegimit të këtij misteri mijëvjeçar. Hapi tjetër është testimi shkencërisht tek njerëzit që zhvillojnë këto dhimbje koke”.
Por Corder, i cili ka studiuar përfitimet e mundshme shëndetësore të verës, dyshon se përbërës të tjerë ia vlen të eksplorohen si shkaktarë të dhimbjes së kokës si pektinazat që përshpejtojnë lirimin e antocianinave, që përshpejtojnë prodhimin e verës duke lëshuar ngjyrë, apo dikarbonati dimetil, një aditiv ushqimor që përdoret për të ruajtur verërat e lira që transportohen nga një vend në tjetrin.