Kulturë Zbulohet një gjuhë e panjohur indoeuropiane

Zbulohet një gjuhë e panjohur indoeuropiane

Gërmimet në Turqi kanë zbuluar prova të ekzistencës së një gjuhe indoeuropiane të panjohur.

Gjuha e re u zbulua në sajtin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s Boğazköy-Hattusha në Turqinë veri-qendrore. Kjo zonë ka qenë kryeqyteti i Perandorisë Hitite, një nga fuqitë e mëdha të Azisë Perëndimore gjatë epokës së bronzit të vonë (1650-1200 pes).

Instituti Arkeologjik Gjerman po kryen gërmime aty prej një shekulli.

Aty janë gjetur rreth 30 mijë pllaka balte me shkrim kuneiform. Këto tableta, të cilat u përfshinë në Trashëgiminë Dokumentare Botërore të UNESCO-s në 2001, ofrojnë informacion të pasur për historinë, shoqërinë, ekonominë dhe traditat fetare të hititëve dhe fqinjëve të tyre.

Shumica e teksteve janë shkruar në gjuhën hitite, gjuha më e vjetër indo-evropiane e dëshmuar dhe gjuha mbizotëruese në vend. Megjithatë, gërmimet e këtij viti sollën një surprizë. Në një tekst ritual kulti të shkruar në hititisht fshihet një recitim në një gjuhë të panjohur deri tani.

Profesor Daniel Schwemer, kreu i Katedrës së Studimeve Antike të Lindjes së Afërt në Julius-Maximilians-Universität (JMU) Würzburg në Gjermani, udhëheq grupin që po punon me gjetjet.

Teksti ritual hitit i referohet idiomës së re si gjuha e tokës së Kalašma. Kjo e fundit mund të ketë qenë në skajin veriperëndimor të qendrës së Hititëve, ndoshta në zonën e Bolu-s ose në atë që është Geredesi i sotëm.

Zbulimi i një gjuhe tjetër në arkivat Boğazköy-Hattusha nuk është krejtësisht i papritur. Hititët kishin interes për regjistrimin e ritualeve në gjuhë të huaja.

Tekste të tilla rituale, të shkruara nga skribët e mbretit hitit pasqyrojnë tradita dhe mjedise gjuhësore të ndryshme anadollake, siriane dhe mesopotamiane. Ritualet nxjerrin në dritë peizazhet gjuhësore pak të njohura të Anadollit të Epokës së Bronzit të Vonë, ku flitej jo vetëm hititisht.

Tekstet kuneiforme të gjetura në zonë përfshijnë pasazhe në Luwianisht dhe Palaic, dy gjuhë të tjera anadollake-indo-evropiane të lidhura ngushtë me hititishten, si dhe Hattic, një gjuhë jo-indo-evropiane. Tani këtyre mund t’u shtohet edhe gjuha e Kalasmës.

Teksti i gjetur është ende i pakuptueshëm. Por specialistët e gjuhëve të lashta anadollake kanë konfirmuar se idioma i përket familjes së gjuhëve anadollake-indo-evropiane.

Sipas Rieken, pavarësisht afërsisë gjeografike me zonën ku flitej Palaic, teksti duket se ndan më shumë veçori me gjuhën luwian. Se sa ngushtë është e lidhur gjuha e Kalasmasë me dialektet e tjera luviane të Anadollit të Epokës së Bronzit të Vonë, kjo do të përcaktohet nga studime të mëtejshme.