Policia ka shpallur në kërkim Dedë Bicin, si autor të dyshuar të plagosjes së Aleksandër Curajt mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër. Në një njoftim për mediat, autoritetet thanë se shkak për ngjarjen është bërë një borxh që i plagosuri i kishte autorit të dyshuar.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për plagosjen e Aleksandër Curaj, 40 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, informojmë se si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të plagosjes, Dedë Bici, 59 vjeç, banues në Lezhë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se Dedë Bici e ka plagosur Aleksandër Curajn për shkak të një borxhi që i kishte ky i fundit. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Dedë Bici”, tha policia.
Curaj u qëllua rreth orës 09:00 të mëngjesit në zonën e “Dollarit”. Autori lëvizte me biçikletë edhe pasi qëlloi të paktën 4 herë në drejtim të 40-vjeçarit u largua nga vendi i ngjarjes.