Aktualitet Aksident i rëndë në “Rrugën e Arbrit”: Makina bie në humnerë, dy...

Aksident i rëndë në “Rrugën e Arbrit”: Makina bie në humnerë, dy të vdekur

Dy persona humbën tragjikisht paraditen e kësaj të hëne në Rrugën e Arbrit. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi afër Shkallës së Tujanit, në Tiranë. Në aksident u përfshinë dy automjete.

Për pasojë, njëra prej mjeteve përfundoi jashtë rruge duke rënë në humnerë. Të dy personat që ndodheshin në mjet mbetën të vdekur. Ata janë identifikuar nga policia si Marsel Tefa 35 vjeç, dhe Egla Celami, 29 vjeçe.

I plagosur nga kjo ngjarje mbeti edhe shoferi i makinës tjetër, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Autoritetet kanë nisur ndërkohë punën për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti tragjik.

“Më datë 18.12.2023, në Rrugën e Arbrit, afër Shkallës së Tujanit, janë përplasur 2 automjete. Si pasojë e përplasjes, njëri nga automjetet ka rënë nga lartësia në humnerë dhe 2 shtetasit që kanë qenë në këtë automjet, kanë humbur jetën. Drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi K. R., ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, tha Policia e Tiranës në një informacion paraprak për mediat.