110 milionë vite më parë, pasi kishte konsumuar vaktin e fundit, një dinozaur u mumifikua. 110 milionë vite më pas, shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë se çfarë ka ngrënë për herë të fundit.
Stomaku i dinozaurëve është dëshmi e dietës së tyre, por rrallëherë kërkuesit kanë arritur të gjejnë një të tillë të paprekur. Por këtë herë, gjithçka ishte ruajtur në mënyrë thuajse të përkryer.
Zbulimi për dietën vegjetarianë të dinozaurit, të njohur si Borealopelta, u publikua në revistën “Royal Society Open Science”. “Pjesët e gjetheve dhe fosilet e bimëve të tjera ishin ruajtur thuajse deri në qelizë”, tha David Greenwood, bashkautor i studimit, biolog i Universitetit “Brandon”.
Dinozauri u gjet fillimisht në vitin 2011 gjatë gërmimeve në Alberta të Kanadasë. Pasi kishte ngordhur, mbetjet e tij përfunduan në një det të ngrirë, pa u shqetësuar nga askush deri 9 vite më parë. Që prej vitit 2017 ai është i ekspozuar në Muzeun e Paleontologjisë në Alberta. Por zbulimi për atë që ndodhej në brendësinë e fosilit u bë pas gjashtë vitesh punë.
Bazuar mbi atë që u gjet në stomakun e tij, dinozauri kishte fierin si ushqimin e tij të preferuar, edhe pse peshonte më shumë se 1 ton. “Kjo gjetje është jashtëzakonisht e rrallë, ky është stomaku i një dinozauri i ruajtur më mirë se në çdo vend tjetër të botës”, tha Jim Basinger, një tjetër bashkautor i studimit dhe gjeolog.