Një histori spiunazhi e bujshme. Intervista që Nejmar ka dhënë në Brazil për “Uol Esporte” dhe që duhej të transmetohej të hënën, është vjedhur. Televizioni brazilian e kishte anonçuar këtë intervistë, që pritej me shumë interes, sepse sulmuesi do të zbulonte të reja të rëndësishme për të ardhmen, por më pas ka ardhur lajmi befasues i vjedhjes së kasetës nga transmetuesi amerikano jugor. Gazetari Paulo Vergueiro kishte regjistruar të shtunën një intervistë të gjatë dhe të detajuar me Nejmarin, por në mënyrë të mistershme kaseta është zhdukur nga bagazhi i makinës. Ka humbur gjithë materiali me deklaratat e bujshme të Nejmarit, por ka edhe një shpresë që të bëhen publike ato që ka thënë sulmuesi.
Në ndihmë të “Uol Esporte” ka ardhur një transmetues i dytë, që thuajse në të njëjtën kohë ka regjistruar një tjetër intervistë me brazilianin, atë ku ai deklaronte se ndeshja më emocionuese ka qenë përmbysja 6-1 e Barcelonës ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve. “Kamera jonë, – thuhet në një postim në Tuiter të “Oh My Goal”, – ka qenë e ndezur gjatë intervistës tuaj, kështu që kemi gjithë materialin që u është vjedhur. Nëse ju duhet, ua dërgojmë”. Vërtet diçka e habitshme, por ka ndodhur…
Nejmar përflitet se është pranë rikthimit te Barcelona dhe me klubin aktual, PSG-në, i ka prishur krejtësisht marrëdhëniet. Ai është kthyer në Paris një javë me vonesë nga nisja e përgatitjeve verore të skuadrës. “L’Equipe” shkruan se sulmuesi brazilian ka pasur një takim të gjatë prej tre orësh me Leonardon, drejtorin sportiv të PSG-së, i cili i ka përsëritur qëndrimin e klubit francez se këtë vit është e pamundur të largohet. Nëse është një qëndrim përfundimtar apo një “taktikë” e merkatos verore, do ta tregojë koha. Për momentin mbetet në plan të parë intervista e zhdukur dhe dyshimet e kësaj historie.