Kancelarja gjermane Angela Merkel përshëndeti projektin e tregut të përbashkët rajonal.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, kancelarja gjermane u shpreh se nisma është mbështetur nga Bashkimi Europian dhe se sa më shumë shtete të bashkëpunojnë në këtë drejtim, aq më mirë është për rajonin.
“Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me 4 marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha kancelarja.
Merkel vuri edhe një herë në dukje dobësinë që ka për rajonin e Ballkanit, por nënvijëzoi se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit duhet të vijojë.
“Gjermania ka një interes të vetin në anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por është tjetër bashkëpunimi në nivel rajonal, një ide që është pranuar nga BE apo këndvështrimi gjerman. Nëse takoheni, është e drejta juaj. Zemra ime rreh për këtë rajon, edhe pse nuk do kem të njëjtën detyrë. Ndoshta do të më nxisë dielli të vij të shoh zhvillimin e këtyre vendeve”, tha Merkel.
Kancelarja gjermane vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit evropian, edhe pse negociatat nuk u çelën për shkak të vetos bullgare.
Ajo theksoi se Procesi i Berlinit ka bërë që shumë gjëra të ndryshojnë në marrëdhënie mes vendeve të Ballkanit.
“Kryetarët e qeverive takohen më shumë siç nuk ka ndodhur më parë, bashkëpunimi është rritur”, u shpreh Merkel.
Integrimi, Merkel: BE duhet të mbante fjalën me Shqipërinë. E kuptoj zhgënjimin
Angela Merkel është mirëkuptuese ndaj zhgënjimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut kur vjen puna tek integrimi në BE. Në konferencën për shtyp krah kryeministrit Edi Rama, Kancelarja gjermane tha se në momentin që vendet plotësuan kushtet e vendosura, BE duhet të mbante fjalën.
“BE, shtetet anëtare të BE do të duhej që nga njëra anë të thonë se cilat janë kriteret, kushtet për t’u përmbushur, për t’u bërë pjesë e BE apo për të nisur procesin e anëtarësimin dhe në rastin e Shqipërisë e kemi themi thënë qartësisht se çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë apo sektorë të tjerë. Dhe në momentin që këto kushte plotësohen do të duhet që BE të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte të tjera, sepse për shkaqe po themi të politikës së brendshme në vende të caktuara, kjo sjell pastaj zhgënjim dhe unë kam mirëkuptim për zhgënjimin që rezulton së këtejmi”.
“Ata vetë shkojnë në rajon, shikojnë vendin, flasin me shoqërinë civile, etj, dhe më duhet të them që pikërisht në momentin që konstatohet që kushtet janë të përmbushura duhet mbajtur fjala, sepse përndryshe kemi zhgënjim. Ne duhet të dimë t’i besojmë njëri-tjetrit”.
“Procesi i Berlinit nuk ka dështuar, ka ende punë për të bërë”
Në konferencën për shtyp të Angela Merkel dhe kryeministrit Edi Rama u fol për Procesin e Berlinit, të cilin kancelarja gjermane nuk e konsideron një dështim.
Pavarësisht se Rama theksoi klimën më të mirë në Ballkanin Perëndimor, por mungesën e progresit në procesin e integrimit, Merkel sqaroi se ende nuk ka përfunduar “ndërtimi i autostradave të cenuara”.
Sipas saj ka shumë procese të iniciuara dhe punë për të bërë kështu që i gjithë procesi nuk mund të konsiderohet dështim.
Merkel solli në vëmendje se kemi një rrjet të shkëmbimeve rinore, njësoj siç kemi dhe shkëmbime në nivel shkencor në vendet e Ballkanit.
Që prej kohës kur Rama dhe Vuçiç janë takuar, kanë ndryshuar shumë gjëra, sipas kancelares duke marrë parasysh që para atij momenti shkëmbimet kanë munguar.
“Ndoshta diçka merr më tepër kohë sesa duhet përsa i përket procedurave të planifikimit, ndoshta dhe Bashkimi Europian nuk është aq i shpejtë sa do duhej në këtë drejtim por shumëçka është në rrugën e duhur,” – u shpreh Merkel.