Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka njoftuar sot se Arjan Sala që humbi jetën tragjikisht do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Në një postim në mediat sociale, Koçi shkruan se me porosi të Kryeministrit, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i Atdheut” është në gatishmëri për t’i dhënë këtë titull Salajt.
Më tej ai shton se po pritet përfundimi i shpejtë i ekspertizës ligjore dhe propozimi i Prefektit të Tiranës për të marrë vendim të menjëhershëm.
“Humbja e jetës së Arjan Salës, përveçse na shkakton dhimbje të papërshkrueshme si për një bir e vëlla, nga ana tjetër dëshmon se Shqipëria që ka djem heronj si Arjani që sakrifikojnë jetën e tyre për të mbrojtur jetët e të tjerëve, do të bëhet! Janë gjallë bilbilenjtë!”.
Arjan Salaj u gjet i pajetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në magazinën ku po kërkohej prej tre ditësh. Deri tani dyshohet se ka humbur jetën nga asfiksia, pasi nuk mundi të dilte dot nga magazina që u përfshi nga flakët pasditen e së mërkurës.
Ndërkohë familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit për 32-vjeçarin i cili humbi jetën duke shpëtuar kolegët nga zjarri në magazinën e qendrës tregtare, do të zhvillohet sot në orën 14:00 në Bathore.