Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar këtë të hënë një takim me raportuesen për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos. Balla tha se mes çështjeve që është diskutuar ka qenë ajo për intensifikimin e punës për reformat. Ndër to edhe çështje që lidhen me zgjatjen e mandatit të organeve të Vettingut. Balla tha se kjo çështje nuk është politike dhe palët duhet të bien dakord jo në kuadër të një marrëveshje politike.
“Vizita vjen në një moment të shkëlqyer, progres raporti është ndër më të mirët, që i ka hapur dritën jeshile edhe nga aspekti, këndvështrimi i PE për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që është ai momenti formal i fillimit të bisedimeve. Kjo në mënyrë të pandershme është ndërlidhur me zgjidhjet e mosmarrëveshjeve mes një vendi anëtar si Bullgaria dhe RMV. Shpresoj që kjo çështje të zgjidhet, por që është e pamundur që kjo çështje të marrë një drejtim edhe nga kushtet e krijuara qoftë në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut.
Ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë është që do të intensifikojmë përpjekjet tona për të çuar përpara reformat. Kemi biseduar për çështje që lidhen me reformën në drejtësi. Për nevojën e dakordësisë së të gjitha palëve për zgjatjen e mandatit të organeve të Vettingut deri në 30 Dhjetor të vitit 2024 që është një vendojë që ka buruar, ose sugjerimi që kanë sjellë ekspertët. Nuk është çështje politike nuk duhet të jetë çështje politike dhe në këtë këndvështrim unë mendoj që jemi në kushtet e një nevoje emergjente që palët të bien dakord, jo si nevojë e një dialogu, apo marrëveshje politike, por si nevojë që sjell vetë ai sugjerim që kanë dhënë vetë ekspertët”, tha Balla.
Mazhoranca ka kërkuar opinion për zgjatjen e mandateve të Vettingut, por kjo është abstenuar nga Fatmir Xhafaj. Balla mohoi që të ketë mungesë dakordësie mes socialistëve. Ai tha se opinioni i “Venecias” është kërkuar për shkak të sensibilitetit që ka pasur nga opozita.
“Nuk ka mungesë dakordësie fare, natyrshëm Xhafaj është nga ata njerëz që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në draftimin dhe çuarjen përpara të miratimit për reformën në drejtësi. Kemi pasur diskutim, ku Xhafaj ka prezantuar këndvështrimin e tij lidhur me këtë çështje. Ai mendon se Komisioni i Venecias ka pasur një opinion për këtë. Kemi rëndë dakord që ne të kemi një opinion të ri që ka pasur një sensibilitet nga opozita. Pyetjet për Komisionin e Venecias janë miratuar dhe duhet të jenë nisur në mënyrë që të shpëtojmë sa më shumë kohë”, tha Balla.