Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka mbërritur në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pasi ka mbërritur në ndërtesën e “Polit të Drejtësisë” ajo ka shkuar në sallën ku po zhvillohet mbledhja për prezantimin e platformave të 3 kandidatëve për kreun e ri të SPAK.
Ambasadorja nuk është prononcuar për gazetarët. Ajo është ulur në një prej karrigeve në fillim të sallës.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sot kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Tre kandidatët në garë janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Pas dëgjimit të tre prokurorëve, anëtarët e KLP-së përmes një votimi të hapur, do shprehin vullnetin e tyre për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka deklaruar dy ditë më parë se “procesi s’duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar”.