Aktualitet Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK çon në gjykatë Altin Hajrin...

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK çon në gjykatë Altin Hajrin pronarin e kompleksit “Golden” në Shijak

SPAK çon për gjykim Altin Hajrin pronarin e kompleksit “Golden” në Shijak pasi akuzohet se është pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga, ngjarje e ndodhur datën 17.01.2020 në Kamëz, Tiranë

Prokuroria e Posaçme njofton se ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes për gjykim edhe për të pandehurin Altin Hajri akuzuar për kryerjen e veprave penale:

“Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal;

“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal;

“Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal;

“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 i Kodit Penal;

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

Për këtë ngjarje është kërkuar dërgimi më parë për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.