Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës e dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme dhe organizimi i tyre për një periudhë të shkurtë kohore, do të përcillet me sfida dhe vështirësi për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), vlerësojnë zyrtarët e këtij institucioni, i cili merret me organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në rastet kur zgjedhjet nuk janë të planifikuara, sikurse në rastin e tanishëm kur ato do të jenë të parakohshme, organizimi i tyre duhet të bëhet brenda një periudhe të shkurtë kohore, gjë që imponon mjaft sfida.
“Pra, të gjitha fazat e procesit zgjedhor, siç janë: periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe pastaj votimi përmes postës, koha e shkurtë për informim publik dhe të tjera, të gjitha këto faza, duhet të zhvillohen dhe organizohen brenda pak kohësh. Kjo është sfiduese për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, mund të them se KQZ-ja ka tashmë përvojën e duhur në organizimin e zgjedhjeve, qoftë edhe kur janë të jashtëzakonshme apo të parakohshme dhe shprehim përkushtimin tonë për të përmbushur detyrat kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që qytetarët me të drejtë vote, të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, tha Elezi.
Ai ka shtuar se ndër vendimet e para që do t’i marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të organizuar procesin zgjedhor, do të jenë: shkurtimi i afateve të fazave të procesit zgjedhor, pra, për t’iu përshtatur ditëve që KQZ-ja do t’i ketë në dispozicion për t’i organizuar këto zgjedhje. Më pas, sipas tij, do të miratohet plani operacional, ku parashihet ndërmarrja e të gjitha aktiviteteve për t’i organizuar zgjedhjet, si dhe do të miratohet buxheti i planifikuar për organizimin këtyre zgjedhjeve, kërkesa për të cilin do t’i dërgohet ekzekutivit.
Afti ligjor për organizmin e zgjedhjeve të parakohshme është jo më shumë se 45 ditë që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve nga ana e presidentit të vendit. Krahasuar me kohën prej 4 deri në 6 muaj për organizimin e zgjedhjeve të rregullta, koha për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, tregon që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe trupave tjerë përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, do ta kenë një dinamikë të shtuar të punës.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tash ka ndërmarrë hapa të paktë për adresimin e problemeve kryesore që ndërlidhen me procesin zgjedhor.
“Të tilla si dizajni i fletëvotimeve, që është një nga problemet kryesore të deformimit të vullnetit të votuesve. Disa nga sfidat kryesore, me të cilat do të përballen KQZ-ja dhe institucionet tjera si KKZ (Komisioni Komunal Zgjedhor) apo QNR-ja (Qendra e Numërimit dhe Rezultateve), gjatë procesit zgjedhor. Do t’i ndaja në dy apo tri etapa të ndryshme. Në periudhën para mbajtjes së fushatës, pra, aspekti i organizimit teknik, certifikimi i listave të kandidatëve, hapja e periudhës për shërbimin e votuesve dhe të tjera. Pastaj, periudha gjatë fushatës dhe periudha në ditën e zgjedhjeve, si dhe në ditët pasuese deri në certifikimin e rezultateve zgjedhore”, tha Cakolli.
Ai ka shtuar se për KQZ-në, ndër sfidat do të jenë edhe adresimi i çështjes së përfshirjes së të miturve në fushata elektorale, fushatat për informimin e qytetarëve, administrimi i fushatës zgjedhore, eliminimi i paqartësive për dokumentet e vlefshme në ditën e votimit, procesi i numërimit të votave dhe eliminimi i vonesave për certifikimin e rezultateve, shkruan REL.
“Besoj që do të ketë vështirësi në të gjitha nga këto. Pra, nuk është se ka pasur diku tendencë për përmirësim substancial dhe që do të mund të evitoheshin parregullsitë e caktuara. Mirëpo, KQZ-ja do të duhej që me të gjitha kapacitetet që ka, të jetë e përkushtuar dhe të ofrojë angazhim maksimal për adresimin e të gjitha problemeve, të cilat janë në domenin e saj. Kjo për shkak se ka edhe probleme të tjera, si pastrimi i listave të votuesve dhe të tjera, të cilat, KQZ-ja, përkundër punës mjaft të madhe që mund të bëjë, sërish nuk është në kompetencën e saj ekskluzive që ta adresojë si problem. Të gjitha këto probleme të evidentuara, mund të ndikojnë në cenimin e integritetit të vet procesit zgjedhor”, vlerësoi Cakolli.
Sidoqoftë, që nga shpallja e pavarësisë së vendit, në vitin 2008 e deri më tash, asnjë prej legjislaturave të zgjedhura nuk ka arritur të përfundojë mandatin e plotë prej 4 vjetësh dhe rrjedhimisht, të gjitha zgjedhjet parlamentare në Kosovë, janë mbajtur si të parakohshme.