E gjithë Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, ka deklaruar se nga dita e nesërme trupa policore do të kalojë në shërbim të përforcuar.
Përgjatë fushatës elektorale, deri më datë 22 Prill ishin angazhuar për mbarëvajtjen e ruajtjes dhe sigurisë 8049 punonjës policie dhe ka garantuar 3.429 aktivitete elektorale.
7.519 punonjës të Policisë së Shtetit janë trajnuar sipas rregullave të reja të KQZ, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas hierarkisë së menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.
5.427 punonjës të policisë do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë dhe do të përdoren 535 automjete të pauniformuara në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit.
Nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë, Drejtorive Vendore të Kufirit e Migracionit dhe struktura të tjera policore, do të dërgohen 1.273 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor në disa Drejtori Vendore të Policisë, si dhe do të vihen në dispozicion 61 automjete për transportimin e tyre.
Ndërkohë, për shkak të angazhimit të policisë në ditën e zgjedhjeve, nga ora 14:00 e ditës së sotme deri të martën ushtria do të marrë në ruajtje 74 objekte të rëndësishme shtetërore.
Sa i përket krimeve zgjedhore, Dervishaj theksoi se deri më tani janë referuar në Prokurori dhe po hetohen 30 vepra penale që lidhen me zgjedhjet dhe 6 njoftime që kanë të bëjnë me të njëjtën vepër penale.