Politika Zgjedhjet e pjesshme lokale, KQZ i kthen përgjigje Metës: Jemi njoftuar vetëm...

Zgjedhjet e pjesshme lokale, KQZ i kthen përgjigje Metës: Jemi njoftuar vetëm për bashkitë Vorë, Dibër e Shkodër

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje Presidentit Ilir Meta lidhur me vakancat e krijuara në disa bashki në vend.

Në një përgjigje për Presidentin, KQZ bën me dije se është njoftuar vetëm për tre vakanca në bashkitë, Vorë, Shkodër dhe Dibër.

Sipas letrës së KQZ, ky institucion është njoftuar për shkarkimin e Agim Kajmakut në Vorë, ndalimin e kandidimit të Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe për dorëheqjen e Dionis Imerajt në Dibër.

Pak ditë më parë Presidenti Meta kërkoi informacion nga Ilirian Celibashi për të nisur procedurat për zgjedhjet e pjesshme vendore.

Ndërkohë pa kryetar janë dhe bashkitë Durrës, Rrogozhinë dhe Lushnje. Në Durrës, Valbona Sako u dorëhoq pak ditë pas tërmetit të 26 Nëntorit, kreu u Bashkisë Rrogozhinë ndërroi jetë, ndërsa Fatos Tushe që drejtone Lushnjen u arrestua nga SPAK

LETRA E PLOTË E KQZ PËR PRESIDENTIN META

I nderuar z. President i Republikës,

Duke shprehur konsideratën më të lartë për misionin Tuaj, dëshiroj t’Ju informoj për sa kërkoni në shkresën tuaj, me nr. 195 Prot., datë 14.01.2022.

Pas zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dha mandatet për organet drejtuese të pushtetit vendor. Gjatë periudhës 30 Qershor 2019 – Janar 2022, Ju informoj si vijon:

Me vendimin nr. 1001, datë 1.11.2019, “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të prokurorisë së përgjithshme për funksionarin publik z. Agim Ymer Kajmaku, me funksion kryetar i bashkisë Vorë, qarku Tiranë, në zbatim të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryetarit të bashkisë Vorë, Qarku Tiranë, z. Agim Ymer Kajmaku.

Për sa i përket vakancave të tjera të krijuara në disa bashki për shkaqe të përcaktuara në nenin 61, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë në dijeni zyrtarisht për 2 prej tyre. Me shkresën nr. 14170 Prot., datë 16.08.2019, të protokolluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, z. Valdrin Pjetri, kandidati fitues për kryetar i bashkisë Shkodër, para marrjes se detyrës, ka vënë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për dhënien e dorëheqjes nga marrja e detyrës. Z. Dionis Imeraj, kryetar i bashkisë Dibër, ka depozituar, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dokumentacionin e kandidimit si deputet për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 Prill 2021, pjesë e të cilit është edhe kërkesa e tij për dorëheqje për shkak të kandidimit.

Referuar neneve 61 dhe 62, të ligjit nr. 139/2015, këshilli bashkiak njofton Këshillin e Ministrave, nëpërmjet prefektit, për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, ndërsa shkarkimi i kryetarit të bashkisë, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për raste të tjera të vakancave të krijuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është vënë në dijeni, dhe brenda kompetencave të veta ju vë në dispozicion informacionin e saktë vetëm për sa është në fushën e vet të përgjegjësisë ligjore.

Duke Ju uruar suksese në punën Tuaj, Ju falënderoj për bashkëpunimin.