Deputeti Flamur Noka ka konfirmuar se Komisioni Rithemelues i PD do të konkurrojë me kandidatët më të spikatur në zgjedhje lokale dhe do të fitojë.
Në një intervistë me në Syri Tv, Noka tha se Komisioni Rithemelues e ka marrë vendimin, ndërsa shprehet i sigurt se do jenë fitues në 6 bashkitë.
“Sot në Republikën e Shqipërisë janë pesë bashki, në të cilat kryetarët ose janë shkarkuar ose rasti i Rrogozhinës që ndërroi jetë, po janë gjashtë ose janë jashtë afateve kushtetuese në mandat. Duhen bërë zgjedhje për të zgjedhur përfaqësues në krye të tyre.
Është Bashkia e Dibrës, është Shkodra, Durrësi, Vora, Rrogozhina dhe Lushnja. Se çfarë do bëjë presidenti apo institucionet e tjera për datën e zgjedhjeve është çështje e tyre.
Ajo që mund të them është se PD, Komisioni Rithemelues ka marrë vendim, ne do jemi në zgjedhje me kandidatët më të spikatur që kanë demokratët në bazë. PD me këto kandidatë do jetë fituese në shumicën e gjashtë bashkive.
Ne nuk braktisim demokratët, për të mbrojtur pluralizmin dhe për t’u përballur me këtë regjim. Ne nuk bëjmë pazar me demokratët, ne do jemi së bashku me ta përballë regjimit e do të fitojmë”, deklaroi Noka.