Bota Këngëtarja infektohet vullnetarisht me Covid, ndërron jetë pak ditë më pas

Këngëtarja infektohet vullnetarisht me Covid, ndërron jetë pak ditë më pas

“Jeta është këtu, për mua dhe për ty”. Ky është mesazhi i fundit i shkruar në rrjetet sociale nga këngëtarja çeke Hana Horka, para se të vdiste dy ditë më parë si pasojë e një vendimi të pamatur që i kushtoi shtrenjtë.

Këngëtarja 58-vjeçare kishte vendosur më 13 janar të infektohej vullnetarisht me COVID-19, nga disa familjarë që kishin rezultuar pozitivë. Sipas saj, në mesazhin e postuar, kjo do t’ i mundësonte asaj rikthimin në jetën normale, ku mund të shkonte sërish në kinema, teatër, ose të udhëtonte jashtë vendit, diçka e pamundur për ato që si Horka refuzojnë kategorikisht të vaksinohen.

Pjesëtarja e grupit Asonance rezultoi në ditët në vijim e infektuar me variantin Delta, dhe si pasojë e saj ndërroi jetë shumë shpejt, më 16 janar, siç e zyrtarizoi vetë grupi i muzikës popullore të cilit i përkiste.

Djali i saj Jan Rek, edhe ai muzikant, akuzoi drejtpërdrejt skeptikët ndaj masave kundër pandemisë që rrethonin të ndjerën, që sipas tij e kishin bindur se sëmundja do të kalonte vetë.

Në Republikën Çeke, të infektuarit nga fillimi i pandemisë janë më shumë se 2 milionë e 600 mijë, ndërkohë që viktimat janë rreth 37 mijë.