Opinione Zgjedhjet lokale shqiptare: Gara për Vlorën sheh Dredhën favorit

Zgjedhjet lokale shqiptare: Gara për Vlorën sheh Dredhën favorit

Nga Gjergji Kajana

Në 14 maj në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet lokale. Aktualisht shumica e bashkive e komunave drejtohen nga Partia Socialiste (PS) e kryeministrit Edi Rama. Një prej bashkive kryesore të vendit (rreth 145.000 banorë) dhe vendndodhje e portit të dytë më të madh e rëndësishëm shqiptar, Vlora përjeton konkurrimin për detyrën e kryebashkiakut e dy kandidatëve nga familje me tradita në politikë: diplomati Ermal Dredha për PS e ekonomisti Hysni Sharra me koalicionin “Bashkë fitojmë” (që përmbledh grupin e PD-së drejtuar nga lideri historik i partisë Sali Berisha e Partinë e Lirisë të ish-presidentit të republikës Ilir Meta). Mes 12 qarqeve administrative të vendit ai me kryeqendër Vlorën renditet i pesti mes kontribuesve në Prodhimin e Brendshëm Bruto shqiptar. Administrata aktuale bashkiake drejtohet prej socialistëve. Sondazhe më të fundit në rang kombëtar vendosin Dredhën si kandidat fitues me rreth 60%.

Reklamë e fortë pozitive për kandidatin socialist vjen prej investimeve të realizuara e të projektuara për zbatim në kuadrin e strategjisë qeveritare për promovimin e turizmit. Brenda 2025-s parashikohet hapja në Vlorë e aeroportit më të madh kombëtar (një investim prej 103 milionë eurosh në fazë realizimi); ky do të jetë aeroporti i parë shqiptar i aftësuar për të kryer fluturime transoqeanike. Brenda pak vitesh projektohet realizimi i një porti turistik me kapacitet ankorimin e 500 mjeteve detare të lundrimit e gjenerator të ardhurash të vlerësuara në 4 milionë euro në vit. Për të rritur potencialitetin e ndërveprimeve me bashkitë fqinje, brenda kësaj dekade është lajmëruar zgjerimin i portit ekzistues të Sarandës, qytet ndodhur 125 km në jug të Vlorës dhe që parashikohet të pajiset me një aeroport turistik modeluar sipas atij të Korfuzit. Bashkangjitur me efektet e një modernizimi urban të qytetit, hapjes në 2022 të një bajpasi financuar me 20 milionë euro nga BE, uljes së kohëve të udhëtimit drejt Jugut përmes inaugurimit në 2024 të një tuneli nën parkun kombëtar  të Llogarasë, investimesh në banesa e ndërtesa që po vijnë në rritje, strategjia e qeverisë Rama – që gërshetohet këtu me platformën Dredha – e sheh zonën e Vlorës kryeqendër të turizmit masiv e atij elitar. “Jemi të fokusuar në transformimin e turizmit vlonjat në një brand kombëtar e mesdhetar operativ në 12 muajt e vitit” i deklaroi Dredha programit TV “Opinion” në 3 maj. Për të mbërritur tek ky objektiv ambicioz platforma e tij elektorale parashikon në pikën e saj të parë rritjen e veprimtarive të pastrimit të qytetit dhe në të katërtën investim në formimin profesional të operatorëve turistikë. Në kuadrin e përmirësimit të brendshëm infrastrukturor Dredha angazhohet në ndërtimin e një stacioni modern të transportit ndërqytetas.

Sharra dakordësohet me rivalin mbi ndërtimin e stacionit ndërqytetas dhe nevojën e zgjatjes së sezonit turistik përtej stinës verore. Ai kritikon Bashkinë mbi kushtet e turizmit në qytet dhe propozon ulje taksimesh që shkojnë deri në 50% për të ndihmuar sektorin. Në planin e shpenzimeve sociale Sharra angazhohet të rrisë kuotën buxhetore bashkiake për personat në nevojë ekonomike ose pezullimin e pagimit të taksave lokale prej familjeve të tyre.

Historia elektorale vlonjate e dekadave të fundit (që e ka parë qytetin qeverisur nga socialistët) e kthen garën e kandidatit Sharra në një mision të vështirë. Përveç favorit të sondazheve e mbështetjes qeveritare (lajmëruar një rritje voluminoze rrogash në nivel kombëtar për punonjësit e sektorit publik), Dredha, formuar në diplomaci, jep përshtypjen e një mobilizuesi të duruar të energjive socialiste të qytetit dhe i drejtohet me besim verdiktit elektoral të 14 majit.

(Përkthyer nga italishtja në shqip, ky artikull është botuar në origjinal në median italiane Lanterna Web.)