Bota Zgjedhjet në Francë, publikohen “exit poll”-t: Avancon e djathta ekstreme, humbet Macron

Zgjedhjet në Francë, publikohen “exit poll”-t: Avancon e djathta ekstreme, humbet Macron

Janë publikuar “exit poll”-t menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë të diel në Francës.

Sipas mediave franceze që kanë publikuar “exit poll”-et, Le Pen kryeson me 34%, ndërsa Macron parashikohet të ketë marrë rreth 20.3% të votave, ndërsa e majta 28.1%.

Megjithatë, të paktën nëse do të kemi këto shifra, asnjë nga tre blloqet në garë nuk do të arrinte qeverisjen. Në këtë situatë, Macron ka reaguar menjëherë. Ai u ka bërë thirrje votuesve që të votojnë kandidatët “republikanë dhe demokratë” në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet të dielën e ardhshme.

Në një prononcim për AFP, Macron përshëndeti pjesëmarrjen e lartë të votuesve në raundin e parë të sotëm, i cili shënoi pjesëmarrjen më të lartë në 40 vite.

“Pjesëmarrja e lartë në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve legjislative dëshmon për rëndësinë e këtij votimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë dhe dëshirën për të sqaruar situatën politike. Zgjedhja e tyre demokratike na detyron. Përballë Tubimit Kombëtar, ka ardhur koha për një mbledhje të madhe, qartësisht demokratike dhe republikane për raundin e dytë”, është shprehur Macron.