Qytetarët në Malin e Zi u drejtohen qendrave të votimit të dielën, në një kohë tensionesh me Serbinë dhe Kishën Ortodokse, lidhur me ligjin për pronat, si dhe në kohë problemesh me coronavirusin.
Përballë në këtë proces janë Partia Social Demokrate e Presidentit Gjukanoviç dhe ajo pro-serbe Fronti Demokratik, që favorizon lidhje me të forta me Serbinë dhe Rusinë dhe ka mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe.
Edhe partitë e vogla janë të shumta. I akuzuar nga rivalët për korrupsion dhe lidhje me krimin, nëse fiton të dielën presidenti mund të përpiqet të formojë një qeveri mazhoritare.
“Jam i motivuar të shkoj të votoj. Mendoj se nuk ka qytetar të Malit të Zi që nuk është i motivuar të heqë qafe këtë barrë, këtë plaçkitje dhe krimin që lulëzon”, u shpreh Luka Krsmanoviç, pensionist.
“Mendoj se një Mal i Zi krenar dhe i pavarur do të fitojë”, tha Slavica Gjukanoviç, banore e Podgoricës.
Votimi vjen në një kohë trazirash politike mbi ligjin e fesë, i miratuar vitin e kaluar, që i lejon shtetit të konfiskojë asetet fetare në rast se pronësia historike nuk vërtetohet.
“Sot duhet të kemi parasysh se të gjithë kundërshtarët tanë nuk po rrinë dhe nuk kanë hequr dorë nga qëllimi i tyre. Ne e pamë se si ligji për fenë u përdor për të ndërmarrë një sulm ndaj Malit të Zi, që nisi vitin e kaluar dhe që nuk ishte parë as gjatë kohës së Sllobodan Millosheviç”, tha Gjukanoviç.
Ligji duhet gjithsesi të hyjë në fuqi, për shkak të protestave disamujore të udhëhequra nga Kisha Ortodokse, e mbështetur nga grupi i partive pro-serbe, i njohur si “Aleanca për të ardhmen e Malit të Zi”.
Të enjten mbrëma, disa mijëra protestues pro-serbë shkelën rregullin për grumbullimet publike për shkak të koronavirusit, për të protestuar sërish kundër ligjit.