Humbja e rëndë në zgjedhjet euro-parlamentare dhe rënia e popullaritetit në minimumin historik kanë bërë që kryetarja e Partisë Social Demokrate të Gjermanisë të japë dorëheqjen.
Kryetarja Andrea Nahles ka deklaruar se në këto kushte nuk mund të kryejë më detyrat e saj.
Në shpjegimin e saj Nahles thotë se “ajo ka marrë drejtimin e SPD në kushte shumë të rënda”. “Ne së bashku kemi vendosur që të futemi në koalicionin qeveritar federal, kemi vendosur të marrim përgjegjësi për vendin tonë. Njëkohësisht po punojmë që të bindim qytetaret dhe qytetarët me projektet tona. Këto janë sfida të mëdha për të gjithë ne”, shkruan Nahles.
Kryetarja e partisë SPD pohon se javën e kaluar sërish është vënë në pikëpyetje mbështetja e saj brenda partisë. Ndaj ka vendosur që gjendja të qartësohet. “Këtë javë kam kuptuar pas debateve të shumta, se për ushtrimin e posteve që kam, nuk ekziston mbështetja e domosdoshme brenda partisë”, pohon Nahles.
Nahles ka vendosur që të hënën t’ia paraqesë krerëve të partisë SPD dorëheqjen e saj nga kreu i partisë. Ndërsa një ditë më vonë, të martën, do të japë dorëheqjen edhe nga posti i kryetares së grupit parlamentar në Bundestag. “Në këtë mënyrë dua të hap rrugë për emërimin e pasardhësve në këto poste”, pohon Nahles e cila shpreson se SPD do të rikthehet në rrugën e suksesit, sepse “vendi ynë ka nevojë për një SPD të fuqishme!”