Bota Zgjedhjet në Serbi, Vuçiç kryeson, partia shqiptare merr 4 mandate

Zgjedhjet në Serbi, Vuçiç kryeson, partia shqiptare merr 4 mandate

Serbia ka mbyllur procesin e votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ato lokale. Sipas të dhënave paraprake të siguruara nga Komisioni Zgjedhor, përqindja e pjesëmarrësve në votime ishte rreth 45.55% e elektoratit.

Deri më tani kur janë numëruar në 44.1 për qind të votat, partia e presidentit Vuçiç kryeson ndjeshëm në përqindje votash.

Sipas projeksioneve të para nga Ipsos dhe Cesid partia e presidentit aktual serb Aleksandër Vuçiç, SNS ka fituar 63.4 për qind të votave në zgjedhjeve e sotme parlamentare në Serbi.

Të konvertuara në mandate partia e Vuçiçit merr 180 mandate, SPS e Ivica Daçiçit 30 mandate, ajo e Aleksandar Shapiç 11 mandate.

Alternativa Demokratike Shqiptare ka fituar 4 vende në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, bëhet e ditur sipas sondazheve paraprake.

Shqiptarët garuan në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 21 qershorit pasi u arrit konsensusi politik mes partive në Luginë të Preshevës dhe Medvegjë.

Rezultati u arrit përkundër faktit që disa shqiptarë të Luginës nuk u lejuan të votojnë.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit, ndërsa u mbyllën në orën 20: 00 të mbrëmjes. Zgjedhjet u mbajtën sot edhe në qendrat me shumicë serbe në shtetin e Kosovës, ndërsa kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, ftoi qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë partinë e presidentit Aleksandër Vuçiç.

Në Serbi, mbi 6,5 milionë banorë kishin të drejtë vote që të zgjedhin parlamentin e ri prej 250 deputetësh. Ata po ashtu votuan për përbërjen e re prej 120 anëtarësh të Kuvendit të krahinës autonome të Vojvodinës.

Qendrat e votimeve ishin të pajisura me maska për fytyrën dhe dezinfektues duarsh, të gatshme për të pritur votuesit, të cilët jo pak herë e kanë shprehur hezitimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga frika e të infektuarit me Covid-19.