Bota Zgjedhjet në Turqi: Erdogan fiton balotazhin, Sulltani mbetet president

Zgjedhjet në Turqi: Erdogan fiton balotazhin, Sulltani mbetet president

Sulltani mbetet president. Kur janë numëruar mbi 95 përqind e votave në balotazhin e së dielës në Turqi, presidenti aktual udhëheq, Rexhep Tajip Erdogan me 52.43% ndaj 47.57% të rivalit të tij, Kilicdaroglu. Këto rezultate janë publikuar nga “Anadolu” dhe ende nuk janë zyrtare.

Erdogan, 69 vjeç, sfidoi sondazhet e opinionit dhe doli në avantazh me pothuajse pesë pikë epërsi ndaj rivalit të tij, Kemal Kilicdaroglu, në raundin e parë më 14 maj. Atij i mungoi vetëm pak nga 50% i votave të nevojshme për të shmangur balotazhin, në një garë me pasoja të thella për vetë Turqinë dhe gjeopolitikën globale.

Dy kandidatët

Presidenti turk, Erdogan gëzon sidomos mbështetjen e turqve konservatorë, që ndjeheshin të diskriminuar në një Turqi laike. Por popullariteti i tij ka rënë pas problemeve të mëdha të shkaktuara nga inflacioni.

Kundërshtari i Erdoganit, Kemal Kiliçdaroglu ka thënë, se do të drejtojë Turqinë me një kurs të ri, do të ripërtërijë demokracinë pas vitesh të shtypjes shtetërore të Erdoganit, do të kthehet tek një politikë e qartë ekonomike dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me perëndimin. Nëse ai do të fitonte, mijëra të burgosur politikë do të liroheshin.

Si paraqitet sistemi politik në Turqi?

Që nga themelimi i saj në 1923, Republika Turke ka qenë një demokraci parlamentare sipas kushtetutës. Por sipas dëshirës së Erdoganit, kjo u ndryshua. Dhe kjo është ajo që bëri partia në pushtet AKP, me mbështetjen e partnerit të saj ultra-nacionalist MHP, në vitin 2017. Sistemi presidencial u fut më pas me zgjedhjet e 2018. Që atëherë, presidenti është kreu i shtetit, i cili drejton edhe qeverinë. Zyra e Kryeministrit nuk ekziston më.

Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli për pesë vjet dhe ka kompetenca të gjera sipas sistemit të ri. Ai emëron dhe shkarkon ministrat dhe zyrtarët e lartë sipas gjykimit të tij, dhe gjithashtu kryeson kabinetin. Ministrat që emëron ai mund të emërojnë guvernatorë dhe zyrtarë shtetërorë në provinca dhe qarqe, kështu që presidenti mund ta ushtrojë ndikimin e tij edhe në komunitetet lokale.

Kreu i shtetit ka gjithashtu kompetencë të nxjerrë dekrete presidenciale dhe të emërojë poste të shumta në gjyqësor, financë dhe arsim. Postet më të rëndësishme të shërbimit sekret ose autoriteti i fuqishëm fetar Diyanet janë gjithashtu në varësinë e drejtpërdrejtë të Presidentit.

Me futjen e sistemit presidencial u hoq edhe parimi që Presidenti duhet të jetë mbipartiak. Presidenti në largim Rexhep Tajip Erdogan ishte kështu në gjendje të mbante presidencën e partisë së tij islamike konservatore në pushtet, AKP. Që atëherë, praktikisht nuk ka pasur ndarje të funksioneve dhe mandatit.