Kryesore Zgjerohet harta e zonave të gjelbërta: Ja qytetet ku do të lirohet...

Zgjerohet harta e zonave të gjelbërta: Ja qytetet ku do të lirohet lëvizja

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një video-mesash ka prezantuar planin e masave deri më 18 Maj.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni, në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve. Strategjia e rihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka njoftuar përfshirjen në “zona të gjelbërta” edhe të 18 bashkive të tjera në vend që konsiderohen më risk të ulët për përhapjen e infeksionit.

Nga data 4 Maj do të përfshihen si zona të gjelbërta bashkitë: Tropojë, Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kucovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë.

“Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut. Zonat e gjelbërt” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të përcaktuara për këto zona”, tha Manastirliu.

Sipas këtyre rregullave pensionistët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjetër mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar jo më shumë se një person.

Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim punë të cilët nuk kufizohen nga këto orare.

Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim në e-Albania.

Manastirliu tha se duke filluar nga data 4 maj do të lejohen dy pasagjerë familjarë në shërbimin taksi ndërqytetas.

“Nga data 4 do të lejohet shërbimi taksi, në të gjithë territorin, duke zbatuar protokollin e sigurisë me deri në dy pasagjerë, anetarë të të njëjtës familje për udhëtimet ndërqytetase”, tha Manastirliu.

Më tej ministrja Manastirliu bëri të ditur se vetëkarantinimi i personave që vijë nga jashtë dhe që jetojnë në zonat e kuqe do të vijojë dhe do të ketë një monitorim të rreptë nga ana e strukturave më qëllim zbatimin e masave.

“Duke filluar nga data 4 Maj, personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim ne zonat e kuqe do të vetekarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë. Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të përcaktuara”, tha Manastirliu.

Manastirliu ritheksoi se nëse gjatë këtyre dy javëve do të vihet re, që kushtet dhe situata do të pësojë ndryshime, për shkak të rihapjes, do të duhet të rikthehemi në situatën e mbylljes së detyrueshme.