Referendum me gjithë shqiptarët. Kjo për Presidentin Ilir Meta është e vetmja zgjidhje për Kryeministrin Edi Rama dhe ata që ai i quajti “palaço ndërkombëtarë”.
Në një prononcim për gazetarët, Presidenti komentoi dhe vendimin e mazhorancës për ta çuar çështjen e Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias.
“Ka vetëm një zgjidhje për Edi Ramën dhe disa palaço ndërkombëtarë se shumica janë njerëz seriozë. Janë si zonja Glover. Ka vetëm një zgjidhje, referendumi. Ata të dalin, nuk i pengoj diplomatët me Edi Ramën dhe unë do të dal me të gjithë shqiptarët, të cilët duhet të rimarrin në dorë sovranitetin e vendit. Prandaj larg duart nga Gjykata Kushtetuese. Hipokritët që duan të çojnë këto akte në Venecia sepse duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut me 69 vota. Tani duan ta bëjnë për të shpëtuar Dvoranin sepse ai nuk është i fajtori vetëm. Dvorani ka pasur garancinë edhe të disa palaçove ndërkombëtarë për të përdhunuar të gjithë procesin e KED. Zgjidhja është një, zgjidhja është referendumi dhe këtë punë ta vendosin shqiptarët. No more “Rule of Embassy”, “Rule of Law”, si në Shtetet e Bashkuara, si në Europë”, tha Meta.
Presidenti foli edhe për ambasadën amerikanë duke thënë se “janë si yll, janë si shpirt se me ata e kemi bërë Kushtetutën”.
“Gjykatën Kushtetuese e bllokoi Rama me disa palaço ndërkombëtarë të cilët kujtojnë se mund të tallen me popullin e Shqipërisë sa herë që duan duke diskretituar rëndë vlerat e shteteve të nderuara që ata përfaqësojnë dhe që ne adhurojmë. Shtetet e Bashkuara janë si yll, janë si shpirt se me ata e kemi bërë Kushtetutën. Edhe komisioni i Venecias ka folur shumë qartë, Presidenti nuk mund të bëjë dy emërime asnjëherë. Presidenti është në kushtetutë jo në rregulloren e ambasadave, por ua kam bërë të qartë që ata punojnë me Kushtetutën që do të ketë të ndryshuar Rama, Agaçi dhe Dvoranit, prandaj i kam ftuar të vijnë me ekspertët dhe t’u tregoj Kushtetutën me të cilën jam betuar”, tha Meta.
Gjithashtu kreu i shtetit komentoi edhe shkarkimin nga KPA të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të dekretuar prej tij, Besnik Muçi. Për Presidentin ky vendim nuk ishte surprizë.