Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Le Petit Parisien” ka botuar, të mërkurën e 27 majit 1914, në faqen n°3, intervistën e Ismail Qemalit për gazetën “Italia”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Ismail Qemali në Romë
Romë, 26 maj.
Ismail Qemali, ish-kreu i qeverisë së përkohshme të Vlorës, ka ardhur në Romë, nga ku ai synon të niset për t’i ofruar shërbimet e tij princ Vidit.
I intervistuar nga gazeta “Italia”, Ismaili deklaroi se ngjarjet e tanishme ishin të lehta për t’u parashikuar, pasi princi kishte pranuar tutelën e Esatit.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për të krijuar një paqe të qëndrueshme në Shqipëri është rritja e kompetencave të komisionit të kontrollit që do të qeveriste nën autoritetin e princit dhe krijimi në Shqipëri i një sistemi kantonal të ngjashëm me atë të Zvicrës.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania