Pas skandalit të pajisjes, “IMSI-Catcher”, dosje e cila u mbyll për shkak të afateve hetimore, një pajisje tjetër speciale është zhdukur në policinë e shtetit.
Aparatura speciale është blerë në nëntor 2014 dhe duhej përdorur për survejim, nga grupi operacional special që përbëhet nga agjente civilë dhe që marrin pjesë në aksione sekrete, për evidentimin e personave me probleme me ligjin dhe më pas arrestimin e tyre.
Mungesa e pajisjes u evidentua gjatë një kontrolli dhe menjëherë materialet iu referuan prokurorisë së kryeqytetit.
Kjo është aparatura speciale dhe e aksesorëve të saj që ka kushtuar shtatë milionë lekë, por që nuk është përdorur asnjëherë të vetme në aksionet sekrete.
Invetarizimi i teknikës dhe pajisjeve SVO, pra i sektorit të veprimtarisë operacionale ka nisur me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të shërbimit të çështjeve të brendshme dhe ankesave.
Një kontroll i tillë është kryer për shkak të njohjes së situatës për të planifikuar se çfarë pajisjesh duheshin kryer më tej.
Pajisja më sistem regjistrimin e videove, me vlerë 7 milionë lekë duhet të ishte në magazinë, por ndërkohë mungon, thuhet në shkresën e Komisionit të Inventarizimit.
Pajisja ishte e shënuar me numër 139, cope një. Në këto kushte Drejtoria e Hetimit ka kryer verifikime duke administruar nga kartoteka, dosjen e prokurimit me objekt blerje sisteme vëzhgimi dhe regjistrimin e klasifikuar sekret, por edhe akte të brendshme për blerjen e aparaturës.
Pas veprimeve që janë kryer në sekret, prokuroria ka regjistruar çështjen për shpërdorim detyre./ Top Channel