Policia italiane pritet që javën e ardhshme të mbërrijë në Tiranë për një takim me kolegët shqiptarë.
Sipas mediave të vendit fqinj, takimi pritet të ndodhë në një kohë kur duhet të dalin edhe rezultatet e ADN-së se kockave të gjetura brenda makinës Skoda Fabia, mjetit të marrë me qira nga biznesmeni italian Davide Pecorelli, që u gjet i djegur në malet e Pukës.
Fati i 45-vjeçarit që rezulton i zhdukur prej 6 Janarit, mbetet ende i panjohur. Brenda makinës së shkrumbuar u gjetën kocka njeriu dhe objekte personale të Pecorellit.
Ndërkohë një mik i sipërmarrësit, për mediat italiane tregoi se ai kishte qëndruar gjatë gjithë muajit Dhjetor në Shqipëri, ndërsa nga mesi i po atij muaji i kishte shkruar: “Kam hapur një show room në një qendër tregtare… Luftë deri më datë 6. Biletën e kthimit e kam më 10 Janar”.