Zjarret shkatërrimtare në Maui të Havait kanë lënë pas 55 viktima dhe mbi 1000 të zhdukur pasi flakët shkrumbuan qytete.
Fotot shokuese pasi flakët janë shuar në disa zona të Maui kanë zbuluar edhe shkatërrimin therës, me më shumë se 1,700 shtëpi dhe ndërtesa të shkatërruara.
Uragani Dora nxiti erëra të forta nga qindra milje në jug në Oqeanin Paqësor duke i dhënë jetë zjarreve që përpin çdo gjë që u doli përpara.
Fotot e tmerrshme të shkrepura nga ajri shfaqnin shkallën tronditëse të rrënimit, me zona të kthyera në hi dhe tym.
Banorët u detyruan të hidheshin në oqean për t’i shpëtuar flakëve të furishme. Roja Bregdetare shpëtoi të paktën 14 persona që u hodhën në ujë për t’u larguar nga zjarret.
Rreth 11,000 turistë u larguan nga ishulli të mërkurën, ndërsa 1,500 të tjerë të enjten.
Zyrtarët ndërkohë paralajmërojnë se do të duhen shumë vite dhe miliarda dollarë për të rindërtuar zonat e rrafshuara.
Guvernatori Josh Green tha po ashtu se flakët e ferrit që kthyen Lahainan në gërmadhë, janë fatkeqësia më e keqe natyrore në historinë e shtetit.
Mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë operacionet e kërkimit për të zhdukurit.
“Nuk ka energji, internet, telefoni apo valë radioje. Janë rreth 1000 të zhdukur. Ajo që kemi parë sot ka qenë katastrofike. Ka të ngjarë të jetë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e shtetit të Havait“, tha ai.