Zinedine Zidane është rikthyer në pankinën e Real Madrid dhe mbërmja e të hënës rezervoi konferencën e parë për mediat, sërish si trajner i Los Blancos.
Njëlloj sikurse çuditi me lamtumirën e tij 10 muaj më parë, Zidane ka surprizuar edhe në rikthimin e tij te Real, aq më tepër kur nuk ka mohuar shanset e rikthimit të legjendës Cristiano Ronaldo.
“Është një ditë speciale për të gjithë. Jam shumë i lumtur që rikthehem në shtëpi. Dua të punoj, për t’i mundësuar skuadrës që të rikthehet aty ku meriton. Ndjesitë janë pozitive. Besoj se klubi ka nevojë për një ndryshim, pasi fitoi gjithçka”, ishin fjalët e para të trajnerit të ri të Los Blancos.
“Pas tetë muajsh kam dëshirë të rikthehem të bëj punën time. Është një përgjegjësi e madhe. Kam luajtur dhe fituar me këtë fanellë. Nuk i harroj fitoret e arritura, por edhe gabimet e bëra. Kam qëllim të jap gjithçka për të bërë më të mirën me këtë skuadër. Kemi 11 ndeshje për të luajtur në kampionat dhe duhet ta mbyllim mirë sezonin”, vijoi Zidane.
“Ishte e nevojshme që të largohesha. Mendova se pas dy vite e gjysmë fitoresh, ishte e drejtë të thoja lamtumirë. Më kanë kërkuar skuadra të tjera, por kam refuzuar. Doja të rikthehesha te Real. Kur më telefonoi presidenti, nuk mund të refuzoja”, zbuloi trajneri francez.
“Nuk jam i lumtur për mënyrën se si rrodhën gjërat. E vetmja gjë për të kuptuar tani është se çfarë u mungon futbollistëve për të bërë më mirë. Nuk është momenti për të folur mbi një rikthim të Ronaldos. Tani kemi edhe 11 ndeshje për të menduar. Do të shohim vitin tjetër. E dini atë që ka bërë këtu Cristiano. Ka hyrë në historinë e këtij klubi dhe këtë gjë nuk do ta ndryshojë askush. Por nuk është momenti për të folur për këto gjëra”, përfundoi Zidane.