Cristiano Ronaldo preferon të përdoret si sulmues anësor, sipas trajnerit të Real Madrid Zinedine Zidane, i cili shton se ylli portugez shumë shpejt do të fillojë të shënojë rregullisht. Ronaldo ka dështuar të gjejë golin në dy ndeshjet e fundit.
Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së prapambetur kundër Valencia-s në kampionat, trajneri i Los Blancos u pyet rreth yllit portugez, duke u nxitur të japë një përgjigje të qartë. “Ai gjithmonë ka luajtur në krah të majtë,” shprehet Zidane. “Ai është pozicioni i tij natyral. Ai mund të luajë në disa pozicione pasi është një lojtar i mrekullueshëm. Por ai preferon të luajë në krah. Pikërisht aty ka shënuar 300, 400 gola, apo jo?,” vijoi Zidane duke provokuar të qeshura.
Francezi gjithashtu ka pranuar se Ronaldo do të lihet pushim në muajt e fundit të sezonit në mënyrë që të jetë sa më i freskët për ndeshjet më të rëndësishme të ekipit. “Me sa mbaj mend, herën e fundit që ai u la pushim ishte në një ndeshje kupe. Dhe jam i sigurt që do të lihet pushim edhe në ndeshje të tjera. Por ai do të luajë të mërkurën, padyshim.” Teksa spekulimet mbi të ardhmen e lojtarëve në ekip që kanë luajtur më pak minuta po rriten, Zidane i mirëpret komentet e bëra nga Rodriguez javën e kaluar ku kolumbiani u shpreh se donte të qëndronte në Madrid. “E vlerësoj atë që është duke bërë tani, kur është në fushë ai punon shumë mirë. Kontributi i tij ka qenë i mirë.”