Aktualitet Zjarr në Urgjencën e re në QSUT, policia: Nuk ka të dëmtuar

Zjarr në Urgjencën e re në QSUT, policia: Nuk ka të dëmtuar

Bodrumi i Urgjencës së re në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet është përfshirë nga zjarri mëngjesin e kësaj të diele. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30 në katin -1 të ndërtesës.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve.

Policia njoftoi se nuk ka pasur persona të lënduar si pasojë e kësaj ngjarje. Zjarri është fikur nga forcat zjarrfikësve dhe tashmë ka nisur puna për të zbuluar rrethanat e kësaj ngjarje.

Uniformat blu thonë paraprakisht se shkak është bërë një shkëndijë elektrike, megjithatë detaje të tjera pritet të dalin në vijim.

“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

Më herët u raportua se ngjarja ndodhi në zonën ku ndodhen bateritë e serverave, por edhe kjo pritet të sqarohet në vijim.

Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe spitali universitar, që tha se çdo gjë është nën kontroll dhe paraqitet e qetë tashmë dhe pacientët janë të gjithë të akomoduar në godina të sigurta, ku janë shërbimet e tjera të urgjencës në QSUT.

“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym. Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen. Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës. Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”, njoftoi QSUNT.

Kujtojmë se urgjenca e re polivalente në QSUT u inaugurua në Prill të vitit 2023.