Bota Zjarret në Australi, 25 persona dhe miliona kafshë kanë humbur jetën, 180...

Zjarret në Australi, 25 persona dhe miliona kafshë kanë humbur jetën, 180 persona në pranga

Mbi 180 vetë u arrestuan nga policia australiane për zjarrvënie të qëllimshme në Uellsin e Ri Jugor, ndërsa flakët vazhdojnë të përpijnë sipërfaqe të tëra toke.

Të paktën 2 mijë banesa janë shkatërruar si pasojë e krizës disa mujore të zjarreve në Australi e janë shkrumbuar 7 milionë hektarë pyje; në shumicën e rasteve sipas autoriteteve zjarret janë shkaktuar nga njerëzit.

Ekipet e shpëtimit po përgatiten në mënyrë frenetike për t’i bërë ballë përkeqësimit të kushteve. Temperaturat pritet të rriten sërish të premten, duke nxitur frikën për bashkimin e dy vatrave e krijimin e një mega zjarr të ri.

Të paktën 25 persona dhe mbi 1 miliardë kafshë kanë humbur jetën si pasojë e flakëve që prej muajit shtator. Këshilli i sigurimeve të Australisë beson se fatura e dëmeve ka arritur në 700 milionë dollarë australianë dhe pritet të rritet në mënyrë të konsiderueshme.

Ka pasur 8500 kërkesa dëmshpërblimi nga sigurimet, me një total prej 700 milionë dollarësh”, tha Josh Frydenberg, zyrtar i thesarit në Australi.

Reshje shiu ranë në dy shtetet e prekura, Uellsi i ri Jugor dhe Viktoria, por autoritetet paralajmërojnë se situata do të përkeqësohet sërish. Kryeministri Scott Morrison tha se 2miliardë dollarë do të viheshin në dispozicion për rimëkëmbjen gjatë dy viteve të ardhshme.

Megjithatë, ai është vënë në shënjestër të kritikave për mënyrën e menaxhimit të krizës, përfshirë për faktin se u largua me pushime në Hauai. Personalitete të spektaklit, përfshirë Nicole Kidmand, Chris Hamsworth dhe Kylie Minogue po dhurojnë para për të ndihmuar në betejën kundër flakëve.