Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në veri të Athinës. Mijëra banorë u detyruan të evakuohen pasi flakët e zjarrit mbërritën pranë banesave.
Banorët e fshatrave pranë vendit të Lojërave Olimpike të lashta në Peloponezin perëndimor, të cilët zgjodhën të mos evakuoheshin nga shtëpitë e tyre, ndihmuan ekipet e urgjencës të luftonin zjarret gjate natës.
Pas një beteje të gjatë zjarrfikësit duket se kanë shpëtuar Olimpinë e lashtë dhe thesaret e lashta janë jashtë rrezikut. Vendi ku flaka Olimpike fillon udhëtimin drejt qytetit që pret Olimpiadën moderne, është një nga atraksionet turistike më të njohura të Greqisë.
Shumë banorë u urdhëruan që në orët e para të mëngjesit të së premtes të shkojnë pranë bregdetit, pasi autoritetet bënë me dije se zjarri kryesor ishte ndarë në fronte të shumta, duke u përhapur në drejtime të ndryshme.
Dhjetëra shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar, ndërsa janë djegur me mijëra hektarë tokë. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, ndërsa disa banorë kanë mbetur të lënduar me djegie dhe asfiksi.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një dalje për mediat u shpreh se e keqja ende nuk ka kaluar, pasi priten erëra të forta perëndimore në shumë zona të vendit.
Mitsotakis u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë urdhrat e evakuimit dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Kryeministri grek shtoi se do të kishte kohë për “kritikë dhe autokritikë” për trajtimin e qeverisë nga kriza, por për momentin u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar.
Më shumë se 150 zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Greqinë që nga e marta, edhe në Turqinë fqinje ende vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri. Temperaturat e larta dhe erërat dyshohet të jenë shkaktarët kryesorë te zjarreve, ndonëse në Turqi disa persona janë arrestuar për zjarrvënie te qëllimshme.