Forcat zjarrfikëse italiane të cilat i erdhën në ndihmë pupullit shqiptar në këto ditë të vështira gjatë tërmetit të 26 nëntorit u larguan nga vendi ynë duke bërë edhe një gjest tjetër fisnik.
Pak para se të linin Shqipërinë ata mblodhën një shumë lekësh dhe ja dhuruan një banori që ishte prekur nga tërmeti.
Një prej zjarrfikësve ka ndarë në rrjetet sociale momente nga darka në Shqipëri që iu bë dhuratë nga pronari shqiptar i restorantit ku në këmbin të kësaj, ata mblodhën një shumë parash për një person në nevojë.
“Dua t’ju tregoj për ditën e fundit në Shqipëri, pasi ministria na kishte urdhëruar të kthehemi në shtëpi, pasi puna për të rikuperuar trupat e bllokuar në gërmadha kishte përfunduar.
Shkuam në një restorant (Resto bar Hemingway-Durazzo) para se të hipnim në anije, hëngrëm darkën, u përshëndetëm me dashuri, por në fund të mbrëmjes pronari na pagoi darkën për të na falënderuar për punën tonë.
Fillimisht ne nuk e pranuam këtë dhuratë, por duke marrë parasysh këmbënguljen e pronarit, të gjithë kolegët menduam të bënim një gjest bamirës për disa të varfër të njohur të tij, duke mbledhur një shumë të konsiderueshme.
Kështu ndodhi, dhe pasi e bindëm pronarin të pranonte kërkesën tonë, të gjithë u përqafuam njëri-tjetrin dhe u emocionuam për atë moment.
Ndërkohë, qeveria shqiptare, përmes ministrit të saj, na nderoi dhe na falënderoi me këto certifikata të njohjes “ad personam”, shkruan një nga zjarrfikësit në rrjetet sociale.