Shefi i zjarrfikësve, Shkëlqim Goxhaj ka thënë se zjarri në pallatin 9-katësh në rrugën “Sali Butka” në Tiranë është vënë në kontroll dhe nuk ka asnjë banor të dëmtuar.
Në një prononcim për mediat, Goxhaj ka theksuar se kati ka rënë në katin e dytë të pallatit dhe më tej është përhapur në verandën e katit të fundit.
“Zjarri po shkon drejt izolimit. Vatra e fundit e zjarrit është në një banesë. Zjarri ka qenë në katin e dytë të këtij objekti dhe është përhapur me shpejtësi në katin e fundit të këtij pallati. Nga kontrollet që ne kemi bërë, nuk na rezulton që të kemi qytetarë të dëmtuar në banesa. Zjarri po shkon drejt izolimit. Kërkohet shkaku i zjarrit, por në këto momente nuk mund të flasim për shkak zjarri. Do të jemi të gjithë këtu deri në përcaktimin e shkaqeve të këtij zjarri dhe derisa të sigurohemi që nuk kemi humbje të jetëve të qytetarëve. Zjarri ka qenë i shtrirë në pjesën e jashtme të objektit. Të dëmtuara janë ato banesa, dritaret e të cilave janë të hapura. Dallojmë dy hyrje të dëmtuara nga zjarri. Ky është një rast i veçantë dhe një rast i rrallë që zjarri merr përmasa të tilla në pjesën e fasadës. Fasada e jashtme e objektit e ka përhapur zjarrin”.
Goxhaj ka folur dhe për gjendjen shëndetësore të zjarrfikësve të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit.
“Vështirësi vetëm pak nga ana e frymëmarrjes. Nuk kemi zjarrrfikës të dëmtuar për momentin. Situata është nën kontroll dhe për pak kohë ne përfundojmë”, tha Goxhaj.