Kryesore “Zonja me karfica”/ Si u zemërua Putin pasi mësoi kuptimin e aksesorit...

“Zonja me karfica”/ Si u zemërua Putin pasi mësoi kuptimin e aksesorit të Albright në samit

Ambasada e SHBA në Shqipëri ka përkujtuar Madeleine Albright, ish-sekretaren amerikane të shtetit e cila u nda nga jeta pak ditë më parë. Ajo ka ndarë një intervistë të Albright disa javë përpara ku ajo flet për karficat e saj të famshme të cilat i përdorte për diplomacinë në emër të Amerikës.

“Këtë javë ne humbëm një legjendë. Madeleine Albright shërbeu si e para femër Sekretare e Shtetit. Një “mendje e shkëlqyer, ajo rikrijoi diplomacinë në shumë mënyra. Disa javë më parë, Share America pati privilegjin ta intervistonte mbi karficat e saja të famshme.

Lexoni se si ajo përdori për diplomacinë në emër të Amerikës një mjet aspak tradicional dhe shumë efikas, si dhe historitë prekëse pas dy karficave të saja të preferuara”, thuhet në postimin e ambasadës.

“Ideja e përdorimit të karficave si një mjet diplomatik nuk gjendet në asnjë manual të Departamentit të Shtetit apo në asnjë tekst që kornizon politikën e jashtme amerikane,” ka thënë ajo në një intervistë.

Albright zgjidhte karficat përpara takimeve me personalitete të huaja për të sinjalizuar pozicionin e saj diplomatik.

Ajo ka treguar një histori të vitit 2000 në Moskë gjatë një samiti të mbajtur mes SHBA dhe Rusisë. Albright shprehet se Putin kishte pyetur presidentin amerikan Bill Clinton për karficat e saj.

“Ai shikonte vazhdimit për të parë se çfarë karfice kisha vendosur dhe u përpoq të gjente kuptimin e saj. Kur ai më pyeti pse kisha vënë karficat e tre majmunëve ‘Hear No Evil, Speak No Evil, See No Evil’, unë i thashë se kjo ishte për shkak të qasjes së ashpër të Rusisë në Çeçeni, e cila përfshinte shkelje të konsiderueshme të të drejtave të njeriut.

Putini u tërbua, presidenti Clinton më pa me mosbesim dhe kisha frikë se e kisha rrezikuar samitin”, vazhdoi ajo. “Tani që shikoj mbrapa, jam krenare që kisha vendosur ato karfica”.

Albright grumbulloi në total 200 karfica që janë të vendosur në 22 muzeume dhe biblioteka presidenciale, tani janë pjesë e ekspozitës së Muzeut Kombëtar të Diplomacisë Amerikane.