Vrasja e një gruaje të moshuar serbe në Kroaci në 1991 mbetet e pandëshkuar pavarësisht dëshmisë së dëshmitarëve okularë dhe një rrëfimi fillestar, që nxjerr në pah se si të dyshuarit për krime lufte kanë arritur të shmangin drejtësinë për më shumë se dy dekada.
Hrvoje Simicevic / BIRN / Zagreb
Dy ditë para rënies së qytetit të rrethuar kroat të Vukovarit, në mbrëmjen e 16 nëntorit 1991, Milica dhe Dragoljub Vracariç u morën nga një vendstrehim kundër bombardimeve në lagjen e tyre në Borovo Naselje nga një njeri i armatosur.
Çifti i martuar, të cilët ishin të dy në të gjashtëdhjetat dhe kishin prejardhje etnike serbe, më pas u vranë. Milica vdiq në çast, por burri i saj Dragoljubi mbijetoi, edhe pse mori plagë të rënda.
Nga viti 1991 deri në 2006, Dragoljub Vracaric dëshmoi disa herë se Nikola Cibariç, një ushtar i Ushtrisë Kroate i cili gjithashtu jetonte në Borovo Naselje, ishte njeriu që e qëlloi atë dhe vrau gruan e tij.
“U ktheva dhe pashë Cibariçin të bënte dy hapa mbrapa dhe të mbushte armën e tij dhe menjëherë hapi zjarr nga e majta në të djathtë, duke më qëlluar mua dhe time shoqe. Kur u binda se ai ishte larguar, u ngrita, pashë time shoqe dhe i kontrollova pulsin, duke kuptuar se ajo kishte vdekur”, u tha Vracariç hetuesve ushtarakë në Beograd më 20 dhjetor 1991, një muaj pas ndodhisë.
Vracariç vdiq në vitin 2008 në një azil për të moshuarit dhe invalidët jo larg Vukovarit, ndërsa Cibariç aktualisht jeton në Varazdinske Toplice, një qytet i vogël në Kroacinë veriperëndimore. Cibariç herë pas here shfaqet në televizionin kroat në përvjetorin e rënies së Vukovarit si mishërim i sakrificës të bërë nga kroatët në qytetin që pësoi një rrethim shkatërrimtar tre mujor nga forcat e Beogradit para se të binte.
Më 14 shtator 1991, forcat serbe vranë vëllanë e tij dhe i morën babanë dhe nënën e tij dhe i vranë. Cibariç kaloi nëntë muaj në robëri serbe, ku iu nënshtrua torturave të tmerrshme.
Në Serbi, ai u dënua nga një gjykatë ushtarake pasi pranoi se vrau pesë civilë nga Borovo Naselje në vitin 1991, përfshirë Milica Vracariçin. Në gusht 1992, ai u shkëmbye me burgosur serbë dhe u la i lirë.
Për shkak se Kroacia nuk i njeh vendimet e gjykatave ushtarake jugosllave, ata që janë përgjegjës për vrasjen e Milica Vracariç kurrë nuk janë ndjekur penalisht.
Investigimi i dokumenteve nga ana e BIRN e bën të qartë se asnjë hetim i pavarur i çështjes nuk është kryer në Kroaci, megjithëse institucionet shtetërore janë paralajmëruar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit për atë që ndodhi.
Në një intervistë telefonike për BIRN, Cibariç mohoi përgjegjësinë për krimet, duke thënë se rrëfimi i tij për pesë vrasjet 27 vjet më parë ishte bërë i detyruar nga torturat.
“Kur dikush ju rreh çdo 15 minuta dhe kërkon që të rrëfeheni, atëherë në një moment dorëzoheni dhe thoni gjithçka që ata duan të dëgjojnë, edhe pse nuk jeni fajtor”, tha Cibariç.
Rindërtimi i një krimi lufte
Nuk ka dëshmitarë okularë për katër vrasjet e tjera të civilëve nga Borovo Naselje atë natë në nëntor 1991, por falë dëshmisë së burrit të Milica Vracariç, Dragoljubit, dhe disa dëshmive të tjera nga proceset gjyqësore, është e mundur të rindërtohen në detaje rrethanat në të cilat ajo u vra.
Një ditë para vrasjes së saj, më 15 nëntor 1991, Vracariçët mbërritën në një strehë të madhe të ngritur nga autoritetet kroate në kompleksin Borovo, një ish-fabrikë e madhe këpucësh.
Në atë kohë, Vukovar ishte në gërmadha pasi kishte qenë i rrethuar për tre muaj nga njësitë e Ushtrisë Popullore Jugosllave, serbët rebelë vendas dhe vullnetarët nga Serbia. Qyteti ishte në prag të rënies kur Dragoljub Vracariç mori një telefonatë nga fqinji i tij, i cili e ftonte atë të shkonte në strehën e Obucaras.
Fqinji, një kroat me të cilin Vracariçët kishin marrëdhënie të mira, kishte shpresuar se ata do të ishin më të sigurt në strehë, e cila strehonte 2,000 civilë, kryesisht kroatë. Shumica e serbëve tashmë ishin larguar nga Vukovari.
Më 16 nëntor, Martin Sabliç iu afrua Vracariçëve rreth orës 16:00. Dragoljubi dhe Milica nuk e dinin se kush ishte, por fqinjët u thanë se ai ishte një nga komandantët në strehë.
Sabliç i riktheu një mjet identifikimi fqinjit të tyre kroat, ndërsa u tha çifteve etnike serbe që të shkonin në dhomën e ngrënies. Aty, me urdhër të Sabliçit, Nikola Cibariç dhe Bartol Domazet i kontrolluan ata. Ata i morën 52,000 dinarë jugosllavë dhe 100 marka gjermane Dragoljubit dhe ilaçet për diabet që përdorte Milica.
Sipas dëshmisë së Dragoljub Vracariç në Beograd, të njëjtën mbrëmje Cibariç u tha atyre të merrnin sendet e tyre dhe ta ndiqnin. Ai u shpjegoi se ata po shkonin në një strehë tjetër.
Pas rreth 500 metrash, shoferi ndaloi, me kërkesë të Cibariçit, përballë stacionit hekurudhor në Borovo Naselje. Ata kaluan hekurudhën në këmbë dhe Cibariç i ndaloi ata në një stacion autobusi aty pranë, më pas i qëlloi pas shpine.
Pas ca kohësh, Dragoljub Vracariç i plagosur erdhi në vete. Ai kontrolloi gruan e tij dhe pa që ajo ishte e vdekur. Pastaj u nis për në shtëpi. Gjatë rrugës, ai takoi ushtarë të Ushtrisë Popullore Jugosllave që i dhanë ndihmën e parë.
Ai u transferua në një spital në Sombor, Serbi, ku ai iu nënshtrua dy operacioneve. Të dhënat mjekësore tregojnë se një plumb i përshkoi nofullën dhe syrin e djathtë, ndërsa dy plumba i mbetën në trup.
Pas një muaji në spital, ai paraqiti një deklaratë. Edhe pse ai dhe Nikola Cibariç jetonin të dy Borovo Naselje prej dekadash, ai nuk e njihte personalisht burrin që akuzoi për plagosjen e rëndë të tij dhe vrasjen e të shoqes, por e identifikoi atë si autorin e veprës nga një video.
Cibariç u kap natën e 18 nëntorit, dy ditë pas vdekjes së Milica Vracariç. Së bashku me disa qindra mbrojtës kroatë të Vukovarit, ai u dërgua në kampin e paraburgimit Begejci në Serbi, nga ku u transferua në një kamp tjetër serb në Sremska Mitrovica.
Martin Sablic, kreu i strehës Obucara dhe anëtar i Brigadës 204 të Ushtrisë Kroate, gjithashtu u dorëzua, së bashku me zëvendësin e tij dhe një anëtar të Brigadës së 3-të, Bartol Domazet, i cili kontrolloi Vracariçët së bashku me Cibariçin.
Ante Vranjkoviç, njeriu që çoi me makinë Cibariçin dhe Vracariçin në stacionin hekurudhor, ishte kapur gjithashtu nga serbët. Ushtarët e Ushtrisë Kroate që nuk përfunduan në Serbi si të burgosur u dërguan në Ovcara, një zonë bujqësore pesë kilometra larg qytetit. Midis 20 dhe 21 nëntorit 1991, ushtarët e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë, përfshirë serbët etnikë nga Vukovari, vranë midis 200 dhe 270 ushtarë dhe civilë të çarmatosur dhe të plagosur, shumica e tyre kroatë.
“Nuk do të na vrisni, apo jo?”
Në një deklaratë të dhënë para hetuesve ushtarakë jugosllavë më 15 janar 1992, Nikola Cibariç detajoi ngjarjet që çuan në vrasjen e Milica Vracariç.
Që nga vera e vitit 1991, ai kishte kërkuar babanë dhe nënën e tij, të dy shtetas kroatë. Shtatëdhjetëvjeçari Mika dhe 62-vjeçarja Cecilia Cibariç u zhdukën më 14 shtator gjatë një sulmi nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe trupat serbe.
Në të njëjtën ditë, vëllai i tij, ushtari kroat Antun Cibariç, u vra në Borovo Naselje. Hetimet e mëvonshme zbuluan se babai dhe nëna e tij ishin ndaluar dhe më pas ishin vrarë nga serbët vendas.
Cibariç më pas iu bashkua Ushtrisë Kroate në tetor 1991. Arma e tij e parë, një kallashnikov, iu caktua më 16 nëntor, ditën e vrasjes së Milica Vracariç.
Dëshmia e Cibariç dhe dëshmia e ushtarëve të tjerë kroatë thonë se Milica dhe Dragoljubi u shfaqën “të dyshimtë” gjatë kontrollit në strehën Obucara. Përveç parave që ata kishin, Cibariç pretendoi të ketë gjetur një mbishkrim brenda kutisë së syzeve të Dragoljub Vracariçit me shkronjën cirilike “S” të përsëritur katër herë, e cila konsiderohej një simbol i nacionalizmit serb gjatë luftës.
Por Vracariç tha se shkronjat në fakt ishin “BRSS” në shkrim cirilik dhe se kutia ishte një dhuratë e blerë në Rusi nga djali i tij Zivojini, një ish-volejbollist profesionist.
Një tjetër send që zemëroi ushtarët ishte fotografia e Zivojinit në portofolin e të atit. Në foto, ai kishte mjekër. Gjatë viteve 1990, mjekra ishte simbol i çetnikëve, një lëvizje nacionaliste serbe e kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Në rrëfimin e tij për prokurorin hetues në gjykatën ushtarake në Beograd, më 15 janar 1992, Cibariç tregoi vendndodhjen e saktë të vrasjes, duke shtuar detaje që Dragoljub Vracariç as që i mbante mend.
Para se Cibariç të shkrepte gjashtë deri në shtatë plumba ndaj tyre, Milica Vracariç e pyeti: “Bir, ti nuk do të na vrasësh, apo jo?”
Cibariç u përgjigj: “Zonjë, duhet t’ju vras.”
Edhe pse e rrëfeu krimin, Cibariç pohoi që nga deklarata fillestare deri në fund të gjykimit se ai ishte urdhëruar direkt nga mbikëqyrësi i strehës, Martin Sabliç. “I vrava sepse kisha frikë se po të mos e kryeja detyrën, ata do të më vrisnin”, i tha Cibariç një gjyqtari ushtarak në Beograd.
Sabliç e mohoi këtë pretendim, duke thënë se Cibariç i vrau civilët në hakmarrje për vdekjen e të afërmve të tij. Bartol Domazet dhe shoferi Ante Vranjkoviç dëshmuan se Cibariç u tregoi atyre pasi e vrau çiftin Vracariç, por se ata nuk morën pjesë në të.
Sot, Cibariç e mohon krimin. Ai pranon vetëm se mori pjesë në kontrollin që iu bë çiftit, duke thënë se ishte një procedurë e sigurisë që të gjithë atje duhej ta kalonin, por nuk mban mend ndonjë mbishkrim cirilik apo kuti syzesh.
“Çifyi Vracariç shkoi nga Obucara në një strehë aty pranë e quajtur Shtëpia e Bardhë. Nuk e di se çfarë u ndodhi pas kësaj. Di vetëm se ne nuk larguam ndonjë nga Obucara për ta vrarë”, tha Cibariç.
Në dëshminë e tij në 1992, ai tha se u kthye në Obucara pasi vrau çiftin Vracariç dhe më pas, të njëjtën mbrëmje, çoi njerëz në Shtëpinë e Bardhë. Një ushtar kroat që ishte në Shtëpinë e Bardhë tha në gjyq se ai kishte dëgjuar se Cibariç kishte marrë disa persona nga Obucara “të cilët nuk ishin kthyer më kurrë”.
Martin Sabliç, i cili ka vdekur ndërkohë, konfirmoi në dëshminë e tij më 14 janar 1992 se Cibariç i kishte marrë ata dhe se në strehë thuhej se “ky çift i martuar ishte vrarë”. Gjatë të njëjtës procedurë gjyqësore, Vranjkoviç u tha hetuesve ushtarakë më 30 janar 1992 se ai kishte çuar “dy të moshuar, një burrë dhe një grua” me Cibariçin në stacionin e trenit dhe se Cibariçi më vonë i tregoi atij se i kishte vrarë ata.
I pyetur tani në lidhje me provat e dëshmitarëve të tjerë dhe detajet në dëshminë e tij, të tilla si vendi i saktë e vrasjes, Cibariç na tha se e gjithë kjo ishte “100 për qind e rremë”, duke përsëritur se ai i pranoi vrasjet pasi u torturua.
Ai shtoi se nuk ishte në dijeni të pretendimeve të të mbijetuarit Dragoljub Vracariç. “Me sa mbaj mend, ata akuzuan mbikëqyrësin në Obucara, Sabliçin, jo mua”, tha ai – edhe pse dëshmia e Vracariçit, në të cilën Cibariç u përmend si autor i vrasjes, u lexua në gjyq. Në qershor 1992, Gjykata Ushtarake e Beogradit dënoi me vdekje Cibariçin dhe Sabliçin dhe pjesëmarrësit e tjerë morën dënime të gjata me burg. Gjykata vendosi se ishte Sabliçi ai që urdhëroi vrasjet.
Të gjithë të pandehurit u dënuan gjithashtu për rebelim të armatosur kundër Jugosllavisë. Amnesty International protestoi kundër dënimit me vdekje, duke shprehur dyshimin se rrëfimet ishin fituar si rezultat i marrjes në pyetje me dhunë.
Kur u mbajtën seancat dëgjimore, disa të burgosur tërhoqën rrëfimet e tyre të mëparshme, duke këmbëngulur se ato ishin bërë nën tortura. Të gjithë, përveç Cibariçit mohuan përfshirjen në vrasje.
Dy muaj pas vendimit, Kroacia dhe Serbia ranë dakord të shkëmbenin të burgosurit. Cibariç dhe të tjerët u kthyen në Kroaci më 14 gusht 1992. Cibariç më vonë foli para mediave për vdekjen e prindërve dhe vëllait të tij, si dhe torturat që ai pësoi pas kapjes së tij. Meqenëse Kroacia nuk i njeh vendimet e gjykatave ushtarake jugosllave, viktimat e krimit u harruan.
Një apel presidentit
Dragoljub Vracariç përsëriti dëshminë e tij në 2006 në një padi civile të paraqitur nga familja e të vrarës Ana Lukiç, një kroate e martuar me një serb, kundër Republikës së Kroacisë.
Në vitin 1992, Cibariç gjithashtu rrëfeu vrasjen e Lukiçit dhe zbuloi vendin e saktë të krimit. Trupi i saj u gjet rreth 30 metra larg nga ai i Milica Vracariç. Sipas dëshmisë së tij, motivi kryesor për vrasjen ishin të dhënat ushtarake jugosllave që përfshinin burrin dhe djemtë e saj, të cilat iu gjetën Lukiçit gjatë një kontrolli në strehë. Kolegia e punës e Lukiçit, Olga Gedoseviç dëshmoi në gjyq në 2006 dhe tha se ajo pa Cibariçin të largonte Lukiçin nga streha.
Bashkëshorti i Lukiç, Bogdan Lukiç, i cili e njihte Cibariçin nga Borovo Naselje para luftës, kujton se e pyeti atë në vitin 1992 në një sallë gjyqi në Beograd se pse e vrau gruan e tij. “Ai tha se nuk e dinte që ajo ishte gruaja ime. Pastaj tha se duhej ta vriste sepse ishte urdhëruar të vepronte kështu. Tha se përndryshe do ta kishin vrarë”, tha Bogdan Lukiç për BIRN.
Cibariç tha për BIRN se nuk e mbante mend bisedën dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e Ana Lukiç.
Baza e padisë së vitit 2006 ishte një dispozitë ligjore sipas së cilës familjet e viktimave mund të kërkonin dëmshpërblim nga Republika e Kroacisë nëse autorët ishin pjesëtarë të Ushtrisë Kroate. Por familja e Lukiç e humbi çështjen me arsyetimin se kishte kaluar afati për të kërkuar kompensim financiar. Edhe pse gjyqi nuk e trajtoi çështjen e fajësisë apo pafajësisë së autorit, gjykata deklaroi se besonte dëshmitë e Dragoljub Vracariç dhe Olga Gedoseviç, në të cilat u përmend Cibariçi.
I pyetur se pse nuk bëri kallëzim penal kundër autorëve para se të ngrinte një padi kundër Kroacisë, Bogdan Lukiç tha se avokatët e tyre mendonin se mund të fitonin procedurat pa dënimin e autorit. Arsyeja e dytë ishte fakti që Dragoljub Vracariç nuk dëshironte të merrte pjesë në paraqitjen e një kallëzimi penal.
“Ai druhej se mund t’i ndodhte ndonjë gjë si serb në Kroaci. Vetë atij dhe anëtarëve të tjerë të familjes. Mbaj mend që rreth vitit 1999, sugjerova që të paraqisnim një kallëzim së bashku, por ai nuk donte. Ai dëshironte të jetonte në paqe aq jetë sa i kishte mbetur”, kujtoi Lukiç.
Djali i Dragoljub Vracariç, Zivojini dha një përgjigje të ngjashme: “Pas luftës, babai im jetoi në Vukovarin me shumicë kroate dhe nuk donte probleme. Ne nuk kemi folur shumë për këtë, por ai më tha se Cibariçi më vrau mamanë. Thjesht më kërkoi t’i premtoja se nuk do të bëja asgjë gjatë kohës që ai ishte gjallë”, tha për BIRN Zivojin Vracariç, i cili gjeti dhe varrosi trupin e nënës së tij shtatë ditë pas vrasjes së saj.
Dragoljub Vracariç vdiq në vitin 2008. Dy vjet më pas, përfaqësuesve të lidershipit politik të Kroacisë dhe Serbisë iu tregua historia se si u vra Milica Vracariç.
Zivojin Vracariç ishte në mesin e një grupi të afërmish të viktimave civile të luftës, të cilët u takuan me kryeministren kroate Jadranka Kosor dhe presidentin kroat dhe atë serb Ivo Josipoviç dhe Boris Tadiç dhe këshilltarët e tyre në vitin 2010. Ishte nisma më serioze e të dy vendeve që nga fundi i luftës për të shkëmbyer informacione mbi personat e vrarë dhe të zhdukur nga të dy palët dhe autorët e mundshëm të këtyre krimeve.
“Kur erdhi radha për të folur, u thashë atyre që historia ime ishte më e thjeshta”, tha Vracariç. “U thashë se, ndryshe nga deklaratat e përfaqësuesve të viktimave të tjera, autori në këtë rast dihej. Pastaj u thashë emrin e Cibariçit”, tha Zivojini, i cili foli të paktën tre herë në takime të ngjashme me zyrtarët kroatë për vrasjen e nënës së tij.
“Presidenti Ivo Josipoviç më ftoi mua dhe disa familjarë të tjerë të viktimave në zyrën e tij për një takim. I dhashë dëshminë e babait tim dhe i thashë se shpresoja se ai do të bënte diçka”, shtoi ai.
Ish-presidenti Josipoviç tha për BIRN se nuk mban mend rastet individuale për shkak të kohës që ka kaluar: “Nëse z. Vracariç dha informacione specifike për krimin në takimet tona, për të cilën unë nuk kam asnjë arsye pse të dyshoj, atëherë shënimi i është dërguar Zyrës së Avokatit të Shtetit. Po kështu, nëse dikush ka siguruar ndonjë provë, ato gjithashtu i janë dërguar Prokurorit të Shtetit”, tha Josipoviç.
Në takime të ngjashme gjatë pesë viteve të fundit, Bogdan Lukiç ka folur dy herë me zyrtarë të qeverisë kroate përgjegjës për personat e zhdukur. Herën e fundit, në vitin 2018, ai gjithashtu përmendi Cibariçin.
“Zyrtari i qeverisë kroate u përgjigj vetëm se serbët i vranë edhe atij prindërit në Vukovar”, tha Lukiç, duke shtuar se pas kësaj nuk ndodhi asgjë.
Në vitin 2011, emri i Cibariçit u përfshi në një listë serbe të shtetasve kroatë të dyshuar për krime lufte, për të cilët Beogradi kishte lëshuar një urdhër arresti. Kroacia nuk ka pranuar të bashkëpunojë.
“Një ushtar kroat nuk vrau kurrë civilë dhe burra dhe gra të moshuara. Ne madje ndihmuam ushtarët e armikut që u plagosën”, këmbënguli Cibariç në një deklaratë që u tregoi gazetarëve në 2011, pas njoftimit të hetimit serb. Tre vjet më parë, Serbia atëherë informoi Kroacinë se po hetonte 44 shtetas kroatë, mes tyre dhe Cibariçin.
Cibariç tha për BIRN se në vitin 2016 ai pati një bisedë me “hetuesit nga Beogradi” në qytetin e Osijekut, por se që atëherë askush nuk ka kontaktuar me të.
Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN nëse Cibariç po hetohet, me arsyetimin se një informacioni i tillë është i fshehtë.
BIRN pyeti Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Kroaci nëpërmjet emailit më 18 tetor të këtij viti nëse ka pasur ndonjë hetim mbi Cibariçin në Kroaci. BIRN gjithashtu pyeti nëse Kroacia po hetonte krimet e luftës kundër Milica Vracariç dhe Ana Lukiç.
As për këtë deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje.