Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari shprehu angazhimin e institucioneve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të dielën më 30 qershor 2019.
Në një intervistë televizive, ai tha se, “jemi përgatitur për mbarëvajtje të procesit zgjedhor. Komunikimi është normal dhe puna vazhdon. Ka një plan masash. Kemi klasifikuar qytetet e ndryshme dhe zonat ku fluksi është më i lartë, si për shembull në Tiranë, sepse ka shumë qendra votimi, dhe kemi marrë masat për të garantuar siguri”.
“Nëse ka rrezik të mundshëm, kemi shtuar punonjës policie. Policia është e pranishme jo vetëm në Tiranë, por në çdo qytet ku zhvillohen votimet. Kemi bashkëpunuar me Prokurorinë për veprat penale që kanë të bëjnë me krimet zgjedhore. Kemi bashkëpunuar me OSBE/ODiHR dhe KQZ. Vëmendje kanë pasur edhe Lezha, Kukësi, Dibra. Janë në total mbi 8000 punonjës policie në mbarë vendin për të garantuar mbarëvajtje të zgjedhjeve”, – tha Lamallari.
Besfort Lamallari shtoi se Policia do të ndjekë çdo rast dhe do të procedojë e do ndjekë rrugën ligjore për çdo qytetar që sillet dhunshëm në qendrat e votimit.
“Mendoj që thirrjet që ka bërë Policia e Shtetit për të eliminuar çdo akt të dhunës, tregon shkallën e lartë të profesionalizmit dhe përmban në thelb edhe komunikimin etik. Ne do të vazhdojmë të procedojmë dhe të ndjekim ligjet për ata persona që janë problematikë në zgjedhje. Dhe janë ligje që personi që i shkel dënohet me 5 vjet minimumi”, – u shpreh Lamallari.