Mjekët zvicerianë u kanë kërkuar pacientëve të infektuar nga Covid-19, të cilët kanë komplikacione dhe gjasa më të pakta për të shpëtuar për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese, të shprehin paraprakisht dëshirën e fundit për trajtimin në fund të jetës, për t’u “hapur rrugën” pacientëve me më shumë gjasa për mbijetesë.
Kjo kërkesë e mjekëve vjen si pasojë e mbingarkesës dhe presionit në terapinë intensive, por si e tillë ka ngjallur shumë kritika, shkruan Reuters.
Organizata Pro Senectute Schweiz, e cila merret me të drejtat e të moshuarve, e ka cilësuar këtë kërkesë të mjekëve si të parakohshme dhe të tepruar.
Mjekët këmbëngulin se vendime të tilla për pacientët janë të nevojshme më shumë se kurrë në këtë realitet shqetësues që është krijuar nga pandemia.
Sistemet e kujdesit shëndetësor po luftojnë me rritjen e normave të infeksionit, mjekët punojnë me burime dhe hapësirë të kufizuar në njësitë e kujdesit intensiv, dhe po përballen gjithashtu me dilema të mëdha për çështje etike kur bëhet fjalë për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Zvicra është drejt ezaurimit të shtretërve në kujdesin intensiv, ndërkohë që Shoqëria Zvicerane e Mjekësisë së Kujdesit Intensiv (SGI) e ka përcaktuar këtë javë me një nivel të lartë risku, duke apeluar për të vënë në zbatim vendimet e tyre për njerëzit mbi 60 vjeç, ose me gjendje të dobët shëndetësore siç janë sëmundjet e zemrës dhe diabeti.
“Kjo do të mbështesë të afërmit tuaj, por edhe ekipet në njësitë e kujdesit intensiv, pasi mjekët do të jenë në gjendje të marrin vendime në mënyrë që trajtimi të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sipas dëshirave të pacientit individual”, tha Sgi në një deklaratë.