Manchester United ka pushuar nga puna trajnerin José Mourinho, pas humbjes pësuar të dielën në Liverpool, duke i dhënë fund marrëdhënies me portugezin, nisur në maj 2016.
Sezoni aktual ka ecur shumë keq për Red Devils dhe në këtë moment United është 19 pikë pas Liverpool-it kryesues, rekord që kur është krijuar Premier League, në 1992.
Ditët e fundit Mourinho deklaroi se edhe vendi i katërt do të ishte një sukses, duke parë si po ecën ky sezon, diçka që ka tërbuar tifozët dhe ka bërë të sosë durimi edhe nga drejtuesit e klubit.
Vetëm një fitore në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit, duke lëshuar pikë edhe ndaj ekipeve modestë si Southampton e Crystal Palace, kanë vulosur fatin e portugezit.
Marrëdhëniet mes Special One dhe zëvendës-presidentit Ed Woodward ka kohë që janë të ndera dhe që në verë nisi konflikti i hapur, kur Mourinho kërkoi qendërmbrojtës klasi, por nuk u ble, pasi klubi gjykoi se nuk ekzistonin lojtarë në treg më të mirë se ata që ka në ekip Mourinho.
Më pas konfliktet pasuan njëri-tjetrin dhe më i famshmi ishte ai mes Mourinho-s e Pogba-së, me francezin që pati një debat të egër me trajnerin. Mourinho i hoqi shiritin e zëvendëskapitenit dhe në ndeshjet e fundit Pogba ka qenë rregullisht në stol.
Gjithashtu, Mourinho ka kritikuar hapur lojtarët për mungesë cilësie dhe mentaliteti fitues, ndërsa ka pasur fjalë të ashpra edhe për lojtarët e rinj në moshë, që sillen shumë keq krahasuar me futbollistët e rinj të disa dekadave më parë.
Edhe në verë Mou ishte i pakënaqur, për shkak se shumë lojtarë ishin pushim nga Kupa e Botës dhe United shkoi në turne në Amerikë me çerek ekipi, duke u bërë qesharak.