Frank Lampard është emëruar zyrtarisht trajneri ri i Chelseat. Legjenda e bluve të Londrës ka firmosur kontratë 3-vjeçare, duke marrë detyrën e lënë nga Maurizio Sarri, i cili u largua nga Londra për ta vijuar karrierën në krye të Juventusit.
“Jam shumë krenar që po kthehem te Chelsea si trajner”, – tha Lampard pasi mori detyrën e re.
“Gjithkush e njeh dashurinë time për këtë klub dhe historinë që kemi ndarë, megjithatë, fokusi im i vetëm është te përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Jam këtu për të punuar shumë, për të sjellë suksese të mëtejshme në klub. Po pres me padurim që të fillojmë punën”.
Drejtuesja e lartë e Chelsea-t, njëkohësisht krahu i djathtë i presidentit Roman Abramovich, Marina Granovskaia, deklaroi: “Frank e njeh klubin në detaje dhe sezonin e kaluar ai tregoi se është një trajner i talentuar. Pas 13 vitesh me ne, si një lojtar, ku u bë një legjendë e klubit dhe golashënuesi ynë më i mirë, besojmë që kjo është koha e përkryer që ai të kthehet dhe të vazhdojë të kontribuojë për Chelsea-n. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i siguruar mbështetjen e nevojshme.”