Tashmë nuk ka më dyshime, teksa Ralf Rangnick do të jetë trajneri i ri i Manchester United për gjashtë muajt e ardhshëm. Gjermani ka firmosur një kontratë deri në fund të sezonit, ndërsa ka opsionin për të firmosur edhe për dy vite të tjera, por në rolin e këshilltarit të klubit.
Tekniku 63-vjeçar do të pasojë në këtë formë Ole Gunnar Solskjaer i cili u largua prej rezultateve të dobëta, ndërsa do të ketë detyrën për të rikthyer ekipin sërish në nivele të larta. Gjithsesi Carrick do të qëndrojë në drejtim edhe për ndeshjen e së enjtes në shtëpi kundër Arsenalit, nëse Rangnick nuk merr lejen e punës brenda kohës së duhur. Në fjalët e para si trajner i Djajve të Kuq, Ragnick ka theksuar se skuadra ka shumë talente në organikë.
“Jam i emocionuar që bashkohem me Manchester United dhe i fokusuar për ta bërë këtë një sezon të suksesshëm për klubin. Skuadra ka shumë talent në brendësi të saj, ka një balancë të shkëlqyer mes talentit dhe eksperiencës. I gjithë fokusimi im do të jetë për gjashtë muajt e ardhshëm te United, do të kërkoj të ndihmoj lojtarët të arrijnë potencialin e tyre të plotë si nga ana individuale, por më e rëndësishmja nga ana ekipore. Përtej kësaj, shikoj përpara për të mbështetur klubin në terma afatgjatë si këshilltar”, u shpreh Ragnick.