Aktualitet Dyshimet për agjent kimik, laboratori i ushtrisë, eksperiment për vdekjen e 4...

Dyshimet për agjent kimik, laboratori i ushtrisë, eksperiment për vdekjen e 4 rusëve në Kavajë

Në hetimet për vdekjen e 4 turistëve rusë do të përfshihet edhe ushtria shqiptare.

Sipas prokurorisë shtetasit rusë kanë humbur jetën prej asfiksimit, megjithatë prokuroria po heton lidhur me dyshimin e vrasjes, për të cilën ka ngritur dhe akuzën.

Ngjarja ndodhi më 15 tetor, kur shtetasit rusë u gjetën të vdekur në një hotel në Kavajë.

“Duke qenë se ka dyshime të arsyeshme lidhur me këtë ngjarje që Prokuroria e Kavajës e ka regjistruar si vrasje, grupi i hetimit ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes, ku kërkon zhvillimin e një eksperimenti të laboratorit për elementët e jashtëm biologjik apo për armë kimike pranë forcave të armatosura,” raportoi gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati.

Sipas burimeve të Euronews Albania eksperimenti në ambientet e SPA-së të hotelit në fjalë do të zhvillohet në ditët në vijim, për t’i dhënë fund misterit nëse ka përfshirje të shërbimeve të huaja.

Gazetari shtoi se dyshimet e prokurorisë janë rritur duke marrë parasysh të shkuarën e kryefamiljarit rus, i cili ka qenë kolonel në shtetin rus.

Burimi: Euronews Albania