Philip Reeker, Këshilltar i Komandantit të Forcave ushtarake amerikane në Evropë, i cili së shpejti pritet të marrë detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën, po qëndron në Shkup prej nga i bëri thirrje qeverisë së Kosovës për pezullimin e taksave ndaj mallrave serbe si kusht për vazhdimin e bisedimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje.
“Kosova nuk dorëzon asgjë duke negociuar. Por, rrezikon gjithçka duke mos negociuar”, u shpreh zoti Reeker duke shtuar se “druhet se qëndrimi i Kosovës ka shkaktuar dëme në raportet me Amerikën”.
Ai u ndal edhe tek zhvillimet në Shqipëri, duke thënë se janë bërë shumë përpjekje në rrugën e reformave, por se duhet çrrënjosur korrupsioni, të ristrukturohen institucionet kyçe të sundimit të ligjit, të reformohet gjyqsori:
“Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe të tregojë se askush nuk qëndron mbi ligjin. Në mënyrë që të hapen bisedimet zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Ambasadori Reeker tha se të gjitha partitë duhet të tregojnë se ndajnë synimet e njejta.
“Opozita doli në rrugë dhe i djegu mandatet; duhet bërë shumë punë urgjente brenda proceseve demokratike. U kërkojmë të gjithë drejtuesve politikë që të shfaqin vullnet politik për t’u angazhuar në institucionet demokratike të Shqipërisë për t’i çuar reformat përpara. Dhe nëse palët ushtrojnë të drejtën demokratike për të protestuar, kjo duhet bërë në mënyrë paqësore”, tha zoti Reeker.
Ambasadori Philip Reeker, i cili aktualisht është Këshilltar i Komandantit të Forcva amerikane në Evropë, por që së shpejti pritet të marrë detyrën e Ndihmmës Sekretareit të Shtetit për Evropën, mori pjesë në një konference në Shkup të organizuar nga Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë, George Marshall dhe Fondi Marshal i Gjermanisë.
Ambasadori Reeker foli për marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë por pa lënë mënjanë edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Në fjalën e tij, zoti Reeker vuri në dukje nevojën e shpejtë të heqjes së taksave ndaj mallrave serbe.
Ai e quajti përparësi historike dhe strategjike të Shteteve të Bashkuara arritjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nën dialogun e ndihmuar nga Bashkimi Evropian.
“Presidenti Trump u ka bërë thirrje drejtuesve në Kosovë dhe në Serbi që të shikojnë përtej mendimeve për humbjet apo fitoret e së kaluarës dhe të ecin përpara sëbashku drejt një të ardhmeje më paqësore dhe në mirëqenie”, tha ambasadori Reeker.
“Me njohjen thelbësore të dyanshme, një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve do t’u lejojë të dy vendeve të vërejnë potencialin e tyre dhe ta lënë parapa përgjithmonë dhunën e viteve ’99 Të dy vendet, nëse ngecin bisedimet, rrezikojnë humbjene një shansi që vjen një herë në një gjeneratë për ta zgjidhur këtë çështje”,theksoi ambasadori Reeker.
Ai e përsëriti thirrjen për Beogradin dhe Prishinën që t’i heqin barrierat e bisedimeve dhe të lejojnë zhvillimin e dialogut.
“Një pjesë e kësaj ka të bëjë me heqjen e taksave nga Kosova ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. Për qytetarët e Kosovës, ne e kuptojmë zhgënjimin tuaj, dëshirën për të kontrolluar fatin tuaj dhe për të çuar përpara integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Nuk vihet në pyetje mbështetja amerikane për sovranitetin dhe pavarësinë tuaj. Amerika ka investuar shumë në drejtësinë për suksesin e Kosovës si një shtet i pavarur, shumëetnik dhe sovran. Ne kemi qëndruar pranë jush, vazhdimisht. Por, ndonjëherë ju kemi bërë një kërkesë të rëndësishme. Dhe kjo është ajo kohë, – u shpreh zyrtari amerikan duke shtuar se – “Amerika, mbase mikja dhe partnerja më e afërt strategjike e Kosovës beson se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë është rruga e vetme përpara për Kosovën.”
“Është fakt se Kosova nuk mund t’u kthehet bisedimeve me Serbinë nëse nuk i pezullon taksat, për çfarë ne besojmë se është në interes të Kosovës, Amerikës dhe të gjithë rajonit”, tha zoti Reeker ndërsa shtoi se, “Është për të ardhur keq dhe sinqerisht befasuese që ende kemi mosmarrëveshje serioze me qeverinë e Kosovës për këtë. Druhem se qëndrimi i Kosovës u ka shkaktuar dëme raporteve tona të ndërsjella. Marrëdhënie që Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë thellësisht”.
Zoti Reeker shprehu bindjen se me fillimin e detyrës së tij të re si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën, egziston mundësia për të bërë përparime.
“Ne nuk jemi duke kërkuar të paarritshmen, por vetëm pezullimin e përkohshëm të taksave. Pastaj do të mund të shohim se çfarë mund të arrihet në tryezën e bisedimeve. Nuk nënshkruhet asnjë marrëveshje pa patur marrëveshje mbi të gjitha aspektet e saj. Kosova nuk dorëzon asgjë duke negociuar. Por, rrezikon gjithçka duke mos negociuar”, u shpreh ambasadori Reeker.
Ai i bëri thirrje edhe Beogradit, për të cilin tha se ka qenë agresiv në refuzimin e Kosovës për t’u përqendruar në interesat e saj strategjike, përmes fushatës për nxitjen e shteteve që ta tërheqin njohjen e Kosovës dhe për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare si Interpoli.
“Beogradi ka trazuar atmosferën për kompromis dhe përparim për një marrëveshje që i duhet atij vendi për arritjen e së ardhmes evropiane. Kosova dhe Serbia duhet të pyesin veten se cila është alternativa e normalizimit të marrëdhënieve? Që të dyja do të humbasin shumë nga një konflikt i ngrirë. Mosarritja e marrëveshjes do të thotë ulje e sigurisë, rritje e ngadalshme ekonomike dhe ngrirje e aspiratave për anëtarësim në BE. Drejtuesit i kanë borxh popullit të tyre që të pranojnë nevojën për kompromis dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve; që është vendi më i mirë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet”, tha zoti Reeker.
Ai tha se të dy palët duhet të kthehen drejt së ardhmes dhe të negociojnë për një zgjidhje lokale.
“Që një marrëveshje të jetë e qëndrueshme, komuniteti ndërkombëtar nuk mund t’i diktojë kushtet. Shtetet e Bashkuara nuk përkrahin asnjë formulë të veçantë, as nuk ofrojnë një çek të bardhë. Çdo zgjidhje duhet të jetë e zbatueshme, e qëndrueshme dhe t’i kontribuojë stabilitetit rajonal”, tha ai.
Beogradi duhet të realizojë reforma të nevojshme për t’i plotësuar të gjitha kushtet e BE-së ku përfshihet forcimi i sundimit të ligjit dhe gjyqësorit duke siguruar lirinë e medias, përmirësimin e administratës publike dhe qeverisjen demokratike. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë Serbinë që ti realizojë ato, tha zoti Reeker. /VOA