Sapo ka mbërritur nga Brukseli ku u zhvillua Konferenca e Donatorëve, Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj ka sqaruar në “Opinion” donacionet që janë bërë për Shqipërinë.
Ahmetaj u shpreh se nga 1.15 miliardë euro të mbledhura nga kjo konferencë në ndihmë të rindërtimit të Shqipërisë pas goditje nga tërmeti i 26 Nëntorit, 400 milionë janë para dhuratë dhe rreth 700 milionë janë kredi të buta.
Arben Ahmetaj: Rreth 400 milionë janë para që na i dhurojnë, nuk na i japin borxh, 700 milionë janë kredi të buta, me një kosto shumë të ulët, disa i kanë nën 2%, janë disa interesa gati-gati tek 1.
Blendi Fevziu: Këto para janë vetëm për dëmet e tërmetit?
Arben Ahmetaj: Këto janë të asociuara më të gjithë dëmin që kemi pasur ne më 26 nëntor dhe po ta lexosh të gjithë raportin e BE dhe parimet, shkojnë përtej rindërtimit, shkojnë tek rimëkëmbja ekonomike.
Blendi Fevziu: Franca sa ka dhënë?
Arben Ahmetaj: 60 milionë euro kredi e butë plus 1 milion grant. T’ju sqaroj 100 milionëshin. Është një instrument financiar përtej rindërtimit, është për zhvillimin ekonomik që e firmosi kryeministri para se të fillonte. Është 100 milionë kredi e butë.
Sa e butë?
Arben Ahmetaj: Po të gjitha këto lëvizin nën 2.25. Ky është një instrument financiar i cili negociohet me Qeverinë shqiptare më pas që mund të jetë për disa korsi ekonomike, socio-ekonomike. Pra, janë projekte.