Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp pas mbylljes së Konferencës së Donatorëve në Bruksel gjatë së cilës u mblodhën mbi 1.15 miliardë euro për të përballuar pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit në Shqipërisë.
Zyrtarja e lartë e KE shprehu kënaqësinë për rezultatet e kësaj Konference Donatorësh, ku u arrit të mblidhej një shifër donacionesh, huash dhe grantesh që mbulojnë nevojat që ka Shqipëria për të përballuar pasojat e kësaj fatkeqësie. Presidentja e KE theksoi se zbatimi i projekteve do monitorohet rreptësisht
“Shqipëria nuk është e vetme do të vazhdojmë ta ndihmojmë është pasi është një partnere dhe një mike e BE. Jam e lumtur që BE dhe institucionet e tjera financiare kanë dhënë një shumë të konsiderueshme, që parakaloi të gjitha parashikimet. Kjo është fenomenale, shuma totale i mbulon të gjitha nevojat që ka vendi”, u shpreh presidentja e KE, Von Der Leyen.
Ursula von der Leyen: Ne jemi të interesuar për progresin e vendit. Ne kemi punuar shumë për të shtruar rrugën, që këtë vit të arrijmë suksesin që dëshirojmë. Për sa kemi parë metodologjinë, që ka krijuar besim te të gjitha palët, dhe që përshpejton procesin dhe ofron perspektiva më të besueshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që ne të mund të ecim përpara për hapjen e negociatave. Po punojmë fort, kam shumë besim. Ne do të botojmë një raport të ri për vendin në fillim të marsit, me qëllim që të krijojmë besim te të gjitha palët. Kemi prova, që progresi është bërë.
Edi Rama: Jemi ende duke përballuar tronditjen e sotme. Dua të gjej një hudhër, sepse kur merr vesh një lajm të mirë, ke frikë se mos ndodh diçka e keqe. Ndaj më lini të gjejë një hudhër njëherë, se sa të mendoj për hapjen apo jo të negociatave. Na duhet të nisim një rindërtim shumë sfidues, sepse kam dëgjuar me shumë kujdes atë që tha Presidentja e KE, që ajo çfarë rindërtohet të jetë më e mirë se ajo që humbi, me standarde të reja anti-sizmike, ekologjike, etj. Jam shumë krenar për ekipin tonë, për prezantimet. Po mendoja pse nuk jemi pjesë e BE, por nuk e kërkoj tani.
Ursula von der Leyen: Kemi rënë dakord të kemi një marrëveshje, ku do të përcaktojmë parimet e transparencës së llogaridhënies. Duam që kjo shenjë e jashtëzakonshme solidariteti me popullin shqiptar të investohet në mënyrën e duhur, transparente, llogaridhënëse dhe për këtë jemi të gatshëm të dërgojmë ekspertët tanë, për ta zbatuar në mënyrën e duhur. Marrëveshjen do ta nënshkruajmë së bashku me Ramën.
Edi Rama: Bixhozi është ndaluar në Shqipëri, por pashë shumë njerëz sot që vinin baste. Dëgjova njerëz që vinin baste, se do të ishte gjithçka katastrofë, por e humbën bastin. Mos vini bast, kur bëhet fjalë për mua, qeverinë time dhe marrëdhënien tonë me botën. Pasi thanë se kjo do të ishte një katastrofë, kur kontributet po rriteshin, thanë se nuk mund t’i menaxhojmë, por ne do t’i menaxhojmë siç duhet. Ndaj ju them mos të shqetësoheni.