Bota 100 shkencëtarët italianë, apel Contes: Masa urgjente, ose mund të kemi qindra...

100 shkencëtarët italianë, apel Contes: Masa urgjente, ose mund të kemi qindra të vdekur

Masa të rrepta menjëherë, “ose vendi do të përjetojë qindra viktima çdo ditë”. Ky është mesazhi alarmues për Italinë, por jo vetëm, i dërguar presidentit të Republikës, Sergio Mattarella dhe kryeministrit, Giuseppe Conte, nga 100 nga personalitetet më të larta shkencore të vendit.

“Duhen masa drastike dhe urgjente brenda dy ose tri ditëve, për të shmangur mundësinë që shifrat të arrijnë brenda tri javëve në disa qindra të vdekur në ditë”, shkruajnë në letër studiuesit, disa prej tyre rektorë të disa prej universiteteve më prestigjioze italiane.

“Si shkencëtarë, studiues, profesorë universiteti, ne besojmë se është e drejtë dhe urgjente të shprehim shqetësimin tonë më të thellë në lidhje me fazën aktuale të përhapjes së pandemisë Covid-19, sipas të cilave dyfishimi i vdekjeve që po vërehet çdo javë mund të çojë shpejt në 400-500 vdekje në ditë”, shkruajnë studiuesit, duke iu referuar vlerësimeve të lëshuara nga fizikani Giorgio Parisi.

”Pa masa të forta, vdekjet nga Covid-19 mund të kalojnë 400 në dy javë. Në 20 ditët e fundit numri i rasteve është dyfishuar çdo javë dhe numri i vdekjeve filloi të dyfishohej, me një vonesë prej 7 ditësh krahasuar me rastet pozitive”, theksoi fizikanti Giorgio Parisi, nga Universiteti ”La Sapienza” i Romës.

“Ajo që duket e sigurt është se nga numri i rasteve sot mund të gjurmojmë numrin e vdekjeve në një javë. Duke marrë parasysh këtë trend në rritjen e epidemisë, një rritje proporcionale e shtrimeve në spitale në institucionet e kujdesit intensiv është gjithashtu e parashikueshme dhe në këtë mënyrë do të ekzistonte rreziku i kolapsit të sistemit shëndetësor”, shtoi ai.

”Nëse masat do të ishin shumë të forta, pas 10 deri në 15 ditë rastet mund të zvogëloheshin”, përfundoi ai.

Kryeministri Conte ka refuzuar publikisht mundësinë e mbylljes totale, që sipas tij do shkatërronte ekonominë italiane, por sipas intelektualëve “masa efikase të menjëhershme do ta ndihmonin ekonominë dhe vendet e punës. Sa më shumë të presim, aq më shumë masat do të jenë të rrepta dhe do zgjasim më shumë, duke patur impakt më të madh”.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetësisë italian ka treguar të dhënat e një raporti i referuar  javës së kaluar, ku treguesi i infeksionit Rt ka kaluar shifrën 1.5. Sipas Institutit, “një situatë shumë e rëndë në të gjithë territorin, që mund të reflektohet në kriticitete të mëdha dhe në një kohë të shkurtër”.  

Sot në Itali ishin 19143 personat pozitivë, me 91 viktima.